Kancelari i Austrisë pret kryeministrin Kurti: Mësoni nga gabimet tona historike
Kryeministri Albin Kurti zgjodhi Austrinë si portën hyrëse të Ballkanit për në Europë. Kurti u prit nga Kancelari Karl Nehammer, me të cilin diskutoi për një sërë çështjesh duke nisur nga ekonomia, integrimet euroatlantike e deri tek dialogu me Serbinë. Nga Vjena adresoi dhe kërkesën e shtuar ndërkombëtare për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Jemi në një moment kur flasim e diskutojmë për një marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe aty mund të adresohet edhe çështja e Asociacionit. Megjithatë, sipas Kushtetues së Kosovës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga Marty Ahtisaari dhe Albert Rohan, në frymën e saj nuk lejon Asociacion njëetnik”, tha Kurti.
Kancelari austriak, Karl Nehammer, u ofrua që të ndërmjetësojë mes Kosovës e Serbisë, duke thënë se gabimet historike të së shkuarës të bëra nga vendi i tij i kanë mësuar disa gjëra që do të donte t’ua përcillte të tjerëve.
“Shumë gabime kanë ndodhur në historinë tonë. Mësuam shumë dhe këto dije nga historia jonë po ua ofroj kolegut tim serb në rolin e një mediatori për të ndërtuar ura dialogu dhe ia ofroj Kosovës sepse ka vetëm paqe, stabilitet dhe siguri nëse të dy palët bashkohen”, tha Nehammer.