Kandidat për president i Maqedonisë, Taravari: Një nga tre postet shtetërore do t’i takojë shqiptarëve
Një nga tre postet më të rëndësishme shtetërore në Maqedoninë e Veriut, presidenti, kryeministri apo kryetari i Kuvendit duhet t’i takojë shqiptarëve dhe kjo duhet të jetë pjesë e Kushtetutës, tha Arben Taravari. Ai është kandidat i opozitës shqiptare për president të Maqedonisë së Veriut, tha se kjo mund të bëhet me ndryshimin e preambulës së Kushtetutës, përmes një procedure parlamentare.
Në një konferencë për media të mërkurën mbrëma në Tetovë, Taravari tha se ndryshimi i Kushtetutës duhet të bëhet për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën aktuale, që është kusht integrimin e shtetit në Bashkimin Evropian. Veç kësaj, Taravari tha se ndryshimi duhet të përfshijë edhe heqjen e termit “20 për qind” për gjuhën shqipe apo ridefinimin e saj si “gjuhë shqipe”, si dhe zgjedhjen e presidentit në të ardhshëm nga ana e Kuvendit, dhe jo përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta.
“Tani e kemi mundësinë që së bashku të forcojmë demokracinë konsensuale në mënyrë kushtetuese, tani mund të sigurojmë njërin nga tre postet kryesore shtetërore që me automatizëm t’i takojë shqiptarëve si kombi i dytë shumicë në Maqedoni [të Veriut]”, tha kandidati për president i opozitës shqiptare. Ai ftoi që programi i tij të mbështetet edhe nga partitë tjera, e në veçanti nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që është në pushtet.
Deklarata e tij vjen në momentin kur Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet njoftoi të mërkurën se kryesia partiake ka vendosur që presidenti aktual, Stevo Pendarovski, të jetë kandidat i saj për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill. Ndërkohë, partia opozitare maqedonase VMRO DPMNE, njoftoi përmes një komunikate se deputetja e kësaj partie, Gordana Siljanovska-Davkova, është e vetmja që ka paraqitur kandidaturën për presidente.
Siljanovska-Davkova garoi edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2019, të cilat i fitoi Stevo Pendarovski. Nëse ajo do të hyjë për herë të dytë në garën presidenciale do të dihet pas konventës së partisë më 2 mars. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë bërë të ditur se kryetar i saj, Ali Ahmeti të enjten më 22 shkurt do të njoftojë kandidatin e kësaj partie për president. /REL/