Kandidati shqiptar i Ali Ahmetit qëllohet me 3 pl*mba, mësohet detaje të reja
Kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim, Zekirja Shahini është qëlluar me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut. Përmes një njoftimi zyrtar, BDI bën me dije se persona të maskuar kanë zënë në pritë kandidatin dhe bartësin e listës së këshilltarëve të kësaj force politike në Likovë.
Sipas asaj që mediat vendase raportojnë mësohet se Shahini mori tre plagë në këmbë dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dëshmitarët kanë treguar para grupit hetimor se personi i cili e qëlloi 43-vjeçarin mbante maskë dhe u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Grupi hetimor dhe Policia ndodhen në vendin ku dhe ndodhi ngjarja dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të kësaj plagosje dhe identifikimin dhe vënien para drejtësisë së personave të përfshirë. BDI ka vendosur që të pezullojë aktivitetet e ditës së sotme, teksa u bën thirrje autoriteteve që të ndërmarrin hapa konkrete me qëllim rikthimin e sigurisë dhe besimit te qytetarëve te drejtësia.
Reagimi i plotë
Jemi të shqetësuar nga sulmi i armatosur ndaj kandidatit tonë dhe bartësit të listës në komunën e Likovës, i cili u qëllua nga persona me maska dhe u plagos. Fatmirësisht, jeta e tij është jashtë rrezikut dhe ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Ne dënojmë ashpër këtë akt barbar dhune dhe kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike të reagojnë menjëherë, me transparencë të plotë dhe me vendosmëri, për të identifikuar, arrestuar dhe sjellë para drejtësisë autorët e këtij atentati.
U bëjmë thirrje të gjithë mbështetësve tanë, simpatizantëve dhe qytetarëve në përgjithësi që të ruajnë qetësinë, të mos bien pre e provokimeve dhe të tregojnë maturinë që gjithmonë e ka karakterizuar lëvizjen tonë.
Në shenjë solidariteti me të plagosurin dhe për të theksuar seriozitetin e ngjarjes, partia jonë vendos të pezullojë aktivitetet e ditës sotme, ndërsa institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për rikthimin e besimit publik dhe sigurisë në terren.
KOHA JONË SONDAZH

