Kazanoviq: Kërkoj mbrojtje nga autoritetet për kërcënimin e ISIS’t ndaj meje
Lideri mysliman në Bosnje e Hercegovinë, Husein Kavazoviq, ka kërkuar mbrojtje nga autoritetet, pasi është kërcënuar nga një pjesëtar i dyshuar i grupit militant, Shteti Islamik, për shkak se e ka denoncuar ekstremizmin islamik.
“Ne shpresojmë se institucionet shtetërore do ta kenë parasysh këtë çështje”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Kavazoviqit.Kjo thirrje për mbrojtje u bë pasi mediat në Bosnje kanë transmetuar një video ku një person, para një flamuri të ISIS’it, në gjuhën boshnjake i është kërcënuar Kavazoviqit me “prerje të qafës”.
Sipas transmetuesit publik, FTV, ky person është myslimani nga Bosnja, Amir Selimoviq, i cili i është bashkuar grupit militant, Shteti Islamik, në Siri në vitin 2014.
Ministri i sigurisë së Bosnjës, Dragan Mektiq, tha se kërcënimi ishte “serioz” dhe se shteti po ndërmerr “masa shtesë të sigurisë” për mbojtjen e myftiut Kavazoviq.
Pas sulmit terrorist në Paris, në nëntor të vitit të kaluar, me ç’rast u vranë 130 vetë, Kavazoviq vazhdimisht e ka dënuar ekstremizmin islamik dhe radikalizimin e myslimanëve të Bosnjës, që përbëjnë 40% të popullatës së këtij vendi, me gjithsej 4 milionë banorë.Autoritetet thonë se afro 50 prej 200 boshnjakëve, që i janë bashkuar grupit ekstremist, Shteti Islamik, në Siri dhe Irak, janë kthyer në shtëpi, ndërsa së paku 26 vetë janë vrarë gjatë luftimeve.