Kina mbështet Serbinë: Nuk e njohim Kosovën, kundër saj në INTERPOL

Serbia së bashku me aleatët po vazhdon lobimin kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Përveç ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç i cili publikisht lobon kundër Kosovës, këtë po e bën edhe ministri i punëve të brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç.

Ai po qëndron në vizitë në Rusi ku do të marrë pjesë në takimin e 10-të Ndërkombëtar të Zyrtarëve të Lartë për Çështje të Sigurisë. Stefanoviç i cili ndodhet në Rusi, u takua edhe me përfaqësues të Republikës Popullore të Kinës, shkruan Kurir, përcjell lajmi.net.

Stefanoviç dhe Sekretari i Komisionit për Çështjet Politike të Partisë Komuniste të Kinës, Guo Shengkun vlerësuan se ky takim është pozitiv veçanërisht në fushën e krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Të dy biseduan edhe për çështjen e Kosovës, dhe siç shprehet Stefanoviq për mediet serbe, Kina e ka konfirmuar mbështetjen për Serbinë dhe mos-njohjen e Kosovës. Gjithashtu, Kina ka konfirmuar edhe se do të kundërshtoj fuqishëm pranimin e Kosovës në INTERPOL, sipas ministrit serb Stefanovic. Përveç kësaj, sot edhe Algjeria ka konfirmuar në Serbi se do të jetë kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër pranimit të Kosovës në INTERPOL.

SHKARKO APP