Komisioneri i BE-së Avramopulos mesazh të fortë Ballkanit: Nuk duhet të riktheni të kaluarën
Populizmi, nacionalizmi dhe irredentizmi rrezikojnë të riballkanizojnë rajonin e Ballkanit (rikthimin e konflikteve të shkuara), deklaroi në një intervistë komisioneri evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Qytetarinë, Dimitris Avramopulos.
“Është e rëndësishme që të mos rikthejmë të shkuarën e errët dhe krerët e këtyre vendeve e kuptojnë se është jetësore që të mendojnë dhe të veprojnë në një frymë evropiane”, tha komisioneri i BE-së.
Avramopulos theksoi se “vende si Greqia mund të luajnë një rol thelbësor duke ndërtuar ura që do të sjellin Ballkanin Perëndimor më afër me familjen evropiane”.
I pyetur se si Komisioni Evropian synon të menaxhojë vendet që refuzojnë të respektojnë sistemin e kuotave të vendosur nga BE-ja për rishpërndarjen e migrantëve dhe azilkërkuesve, komisioneri u shpreh se “operacioni i mekanizmit të rishpërndarjes është i suksesshëm, si dhe të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve të familjes evropiane nuk janë sipas menusë”.
Ai përsëriti se aktualisht Rregullat e Dublinit janë anuluar për shkak të rrethanave dhe theksoi se propozimi që ai ka dorëzuar për një rishikim të rregullave të lidhura me çështjen e migrimit në BE bën thirrje për një sistem të ri që është i drejtë me BE-në dhe qytetarët e tij, refugjatët, vendet e origjinës dhe të tranzitit.
Në këtë intervistë, Avramopulos vlerësoi gjithashtu përpjekiet e kancelares gjermane, Angela Merkel në krizën e refugjatëve.
“Gjermania i ka treguar Evropës dhe gjithë botës se çfarë mund të bëhet nga një vend bazuar në vlerat humanitare dhe demokratike. Shpresoj që negociatat për një koalicion qeverisës në Gjermani të përfundojnë sa më shpejtë të jetë e mundur”, vazhdoi ai.
Përsa i përket çështjes së reduktimit të fondeve në dispozicion të refugjatëve nga Brexit, Avramopulos u shpreh se “largimi i BM-së nga BE-ja krijon fakte të reja për buxhetin e Evropës. Komisioni Evropian po përgatit një propozim ku sektorët e migracionit, kontrolli dhe siguria e kufijve të jenë mes sfidave kryesore në buxhetin e ri evropian”