Kongres Amerikan, seancë për Ballkanin: Të vendosim standardet demokratike para stabilitetit

Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë angazhimin për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor, u shprehën pjesëmarrësit në një seancë dëgjimore të zhvilluar dje në Nënkomisionin për Evropën të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan. Pjesëmarrësit theksuan se njëzet e tre vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, qëndrueshmëria e rajonit po kërcënohet nga ndikimi i dëmshëm nga faktorë të jashtëm, mungesa e përparimit në procesin e integrimit euroatlantik dhe konfliktet e pazgjidhura.

Matthew Palmer, Drejtor i Departamentit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, i ftuar për të dëshmuar në seancë, tha se Rusia është kërcënimi më i madh i jashtëm ndaj vendeve të Ballkanit.

“Aktori i jashtëm, për të cilin jemi të shqetësuar në këtë kohë është Federata Ruse. Qëllimet e tyre, jo vetëm në Bosnje, por në të gjithë rajonin, në thelb janë në kundërshtim me qëllimet tona. Ne po punojmë për të integruar vendet e Ballkanit Perëndimor në institucionet euroatlantike, ndërsa në të njejtën kohë, rusët po punojnë për të mbjellur mosbesim dhe konflikt. Kjo është shqetësuese për ne. Ne jemi të shqetësuar në lidhje me fushatën ruse të dezinformimit dhe mbështetjen ruse për grupet në Bosnje që po punojnë në shkatërrimin e identitetit të vendit”.

Pavarësisht se rajoni nuk është aktualisht i kërcënuar nga një konflikt i dhunshëm, mos angazhimi i Shteteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për t’iu kundërvënë ndikimit të jashtëm dhe për të trajtuar problemet e tjera mund të krijojë kushtet për konflikt në të ardhmen, thanë pjesëmarrësit.

Amerika ka një përgjegjësi të vazhdueshme për të ndihmuar vendet e rajonit për të zgjidhur problemet e mbetura, tha ligjvenësi republikan Dana Rohrabacher, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën.

“Nuk mund të rrimë mënjanë dhe të presim që Bashkimi Evropian të zgjidhë problemet. Përvoja ka treguar se Evropës i mungon vendosmëria politike për të udhëhequr dhe angazhimi ynë aktiv tani, do të pakësonte shanset për ndërhyrje më sfiduese në të ardhmen”, tha ligjvënësi Dana Rohrabacher, kryetar i nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ndërsa, ligjvënësi demokrat Gregory Meeks theksoi se mbështetja e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë është një zhvillim inkurajues. Por, sipas tij, rajoni përballet me një ngadalësim të përparimit në procesin e integrimeve euroatalntike dhe me një rritje të ndikimit negativ nga jashtë.

“Banorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk janë më aq të bindur mbi përfitimet nga anëtarësimi në BE dhe Nato, si dikur, dhe aktorët e jashtëm si Turqia dhe Rusia janë gjithnjë e më të interesuar dhe më të gatshëm për të ndërhyrë në mënyrë të dëmshme, duke rrezikuar investimet që Shtetet e Bashkuara kanë bërë drejt paqes demokratike në rajon”.

Shirley Cloye DioGuardi nga Lidhja Shqiptaro-Amerikane, theksoi para ligjvënësve nevojën për zgjidhjen e konflikteve të mbetura etnike, sidomos atij në Maqedoni. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara duhet të vënë theksin tek respektimi i të drejtave të komuniteteve.

“Politika e Jashmte amerikane në Ballkan në 20 vitet e fundit është përqëndruar në arritjen e stabilitetit me çdo kusht, në vend që të vendosim parandalimin e konfliktit dhe respektimin e të drejtave të njeriut në qendër të angazhimit tonë me rajonin. Si rezultat, pas marrëveshjes së Dejtonit konflikti në Ballkan mbetet ende i pazgjidhur”.

Korrupsioni dhe institucionet e dobëta janë një sfidë tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që thekson nevojën për një angazhim më të madh amerikan dhe evropian për të ndihmuar rajonin në trajtimin e këtyre sfidave, thanë pjesëmarrësit.

“Zëri i Amerikës”

SHKARKO APP