Kosova heq barrierat tregtare pasi tarifat zemërojnë fqinjët

Qeveria e Kosovës ka hequr plotësisht barrierat tregtare për produktet bujqësore nga vendet fqinje pasi masat e vendosura së fundmi nga Prishtina kërcënuan të shkaktonin një luftë tregtare. Qeveria e Kosovës njoftoi të martën se Prishtina ka hequr pengesat e përkohshme tregtare të prezantuara më 18 korrik për të mbrojtur prodhimin e saj të brendshëm.

Masat përfshinin tarifa doganore prej 30 për qind mbi importet e 21 llojeve frutave dhe perimeve nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Europës Qendrore, vendet e CEFTA-s, ku përfshihen Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi dhe Serbia.

Ndryshimi do të jetë efektiv nga e mërkura, sapo Kosova të informojë zyrat e saj doganore për rregulloren e re. Ministri maqedonas i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, vendi i të cilit ishte një nga më të prekurit nga tarifat e Kosovës, e mirëpriti menjëherë vendimin. Në një konferencë për shtyp në Shkup, ai tha se ky ishte “një tjetër konfirmim i marrëdhënieve të mira” midis Shkupit dhe Prishtinës.

Të martën e kaluar, Kosova hoqi pjesërisht barrierat tregtare që vendosi më 18 korrik. Por tarifat për shtatë produkte kryesore përfshirë domatet, specat, mollët, rrushin, dardhat, kumbullat dhe mjedrën mbeten, kryesisht duke prekur eksportuesit maqedonas pasi këto produkte përbënin shumicën e eksporteve të tyre.

Në një takim të mërkurën e kaluar në Beograd, ministrat e bujqësisë nga Serbia, Bosnja dhe Maqedonia dhe një përfaqësues i Malit të Zi përshëndetën heqjen e pjesshme të tarifave, por i kërkuan Prishtinës t’i heqë ato për të gjitha prodhimet bujqësore. Maqedonia dhe vende të tjera thonë se ata ende duhet të llogarisin koston e vendosjes së përkohshme të tarifave dhe të shqyrtojnë ndihmën e mundshme për industritë e tyre.

CEFTA u krijua në vitin 1992, por shumica e ish-anëtarëve të saj në Europën Lindore janë larguar pasi i janë bashkuar Bashkimin Europian. Anëtarët aktualë janë Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Serbia dhe misioni i OKB-së, UNMIK, që përfaqëson Kosovën. Kosova nuk qe në gjendje të bashkohej vetë për shkak të refuzimit të Serbisë për të njohur provincën e saj të mëparshme si një shtet i pavarur.

SHKARKO APP