Kreu i Preshevës, Shqiprim Arifi: Vuçiç na dha 1,3 mln €. Po mësoj serbisht
Shqiprim Arifi, kryetari i Komunës së Preshevës i ftuar në Report Tv u shpreh se Lugina tashmë ka përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa qeveria për herë të parë ka akorduar fond një fond prej 1,3 milionë eurosh.
Kryetari i Luginës së Preshevës u shpreh se situata në vend është shpresëdhënëse ndërsa shtoi se në kuadër të një komunikimi sa më të frytshëm është duke mësuar edhe gjuhën serbe.
“Është një spektër i gjerë i problemeve në Preshevë, pikë së pari ai i emigracionit. Jemi munduar që të ndërhyjmë dhe të kërkojmë investitorë që të kemi një perspektivë ekonomike. Kemi ndërtuar një komunikim kualitativ me Serbinë sepse duam të zgjidhim hallet. Unë po mësoj edhe gjuhen serbe por ata janë njerëz të disponuar për të na ndihmuar, nuk e di si ka qenë më herët por tani është ashtu dhe ne po mundohemi të thithim projekte. Kemi marrë 1,3 milionë euro investime në arsim që nuk kanë qenë kurrë më herët. Kemi edhe premtime të tjera për projekte të ndryshme. Situata në Luginën e Preshevës është shpresdhënëse”, tha Arifi.
Arifi vlerësoi Unionin e kryetarëve dhe pasi ka vizituar kantieret e ndërtimit në Tiranë u shpreh se po bëhet një punë fantastike për një Tiranë Europiane.
“Në çdo nismë dikush bëhet i pari dhe kësaj radhe ka nisur nga Prishtina dhe Tirana. Do të ndërtojmë një urë të bashkëpunimit që është në të mirën e të gjithëve dhe është një standard europin dhe është shumë gjë normale. Duhet të fokusohemi që të ndërtojmë standarte të përbashkëta. Duhet ta bëjmë këtë para se të jemi në BE. Nuk është projekt nacionalist dhe nuk duhet të jetë, është patriotik si projekt. Ne duhet te fokusohemi në patriotizëm konkret. Erioni po merret me problematika që është trashëguar për vite me radhë. Erioni po i zhvillon të gjitha projektet të planifikuar të jenë të qëndrueshëm edhe për ata që jetojnë dhe për ata që vijnë këtu si vizitorë. Projekti i stadiumit është një projekt kryevepër dhe unë e përgëzoj Erionin që po bën punë fantastike”, u shpreh ai.
I pyetur nëse ka diçka konkrete në infrastukturë që mund të lidhë shtet shqiptare në të gjithë rajonin ai tha: “Jemi dakordësuar me një kalendar të përbashkët. Ne duhet të kalojmë nga mentaliteti për të ndërtuar infrastukturë pasi nuk nënkupton domosdo zhvillim të qëndrueshëm. Duhet të jemi shumë inovativ për të qenë më komunikues me qytetarët. Ka një gadishmëri nga komunat më të mëdha që ta ndihmojnë komunën e Preshevës që edhe ajo të jetë në nivelin që na duhet për të shkuar në BE.
Ne jemi vllazni dhe kemi një motër dhe bashkëpunimet dhe kontaktet me njëri-tjetrin i kemi të vazhdueshme. Ne kemi një angazhim të jashtëzakonshëm dhe nuk kemi bërë një kalendar për takime por do të ndërtojmë trupin koordinues dhe pastaj do të ketë hapa konkret për të ardhmen.”
Arifi u shpreh se Presheva ka një eksperiencë specifike në marrëdhëniet me Serbinë, tipar ky që e ka bërë vendin ekstremist kreativ për zgjidhjen e problemeve.
“Ne kemi aq shumë probleme që na ka bërë të jemi ekstrem kreativ për zgjidhjen e problemeve. Kemi përvojë edhe në politikbërjen rajonale pasi jemi pjesë e Republikës së Serbisë dhe kërkimi i të drejtave na bën kreativë. Kemi përvojë në këtë formë plus që edhe ne jemi qytetarë të Serbisë duke qenë komb shqiptar. Ne ndonjëherë gjejmë në lum atë që nuk gjendet në det. Gjithsecili ka mundësi të kontribuojë në këtë union”, tha Arifi.
Sa i përket marrëdhënieve me qeverinë shqiptare dhe Kosovën , Arifi u shpreh se ka kontakte të vazhdueshme dhe se në të ardhmen problemet do të jenë më konkret në mënyrë që edhe zgjidhja të jetë e tillë.
“Jemi takuar në Beograd me Ramën ku kemi takuar edhe Vuçiç. Me Ramën si kryeministër kemi marrëdhënie të shkëlqyer dhe duam që në të ardhmen të bëhet diçka për Luginën e Preshevës. Ne duam të shohim çfarë është e mundur dhe ta themi e ta kërkojmë. Një gjë që edhe mua më dhemb është se gjërat zhvillohen ngadalë. Në aspektin kohor jemi në minus. Me Kosovën situata është më komplekse por kemi kontakte dhe po koordinohemi për të ardhmen. Ne duhet të shikojmë përpara dhe të mundohemi të besojmë ata që kemi zgjedhur dhe të jemi kritik nëse ata bëjnë diçka gabim. Mendoj se ky shekull është i ëndrrës shqiptare”, u shpreh Arifi.