Kriporja e Ulqinit edhe zyrtarisht park i natyrës

Nga Gjekë Gjonaj-

Kryetari i Kuvendit Komunal të Ulqinit dr.  Ilir Çapuni sot nënshkroi  Vendimin për shpalljen e parkut të natyrës „Kriporja e Ulqinit”, i cili u miratua në Kuvendin Komunal më 26 qershor 2019.

Në fjalimin e tij përshëndetës, kryetari i Kuvendit dr.  Ilir Çapuni kujtoi të pranishmit për  gjenezën  e këtij vendimit nga momenti kur ajo ishte vetëm kërkesë programore e disa partive politike shqiptare për të vijuar me miratimin e Planit Hapësinor në Parlamentin e Malit të Zi me të cilin kjo zonë mbrohet, e deri te përpilimi i këtij vendimi nga komisioni 13 anëtarësh dhe miratimit i tij në Kuvendin Komunal.

Dr. Çapuni vlerësoi se ky vendim e bën Kriporen një hapësirë unike, me simbolikë unike, që na mundëson që ardhmërisë dhe fëmijëve tanë t’i flasim me buzëqeshje dhe kokë lartë.  Shtoi se  Ulqini  me këtë vendim, ka bërë një hap të rëndësishëm, sepse miratimi i këtij vendimi është një lloj pakti i ri në mes qytetarëve dhe që e bën kriporen jo vetëm të zogjve,  të gjuetarëve,  të turistëve apo të  ish – punëtorëve, por  të të gjithë atyre që nesër do të krenohen me këtë zonë të mbrojtur.

Të pranishëm në  ceremoninë e nënshkrimit të këtij dokumenti të rëndësishëm për qytetarët e Ulqinit dhe jo vetëm ishin nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi Genci Nimanbegu, ministri i Ministrisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm Pavlle Radulloviq,  ambasadorja e  Britanisë së Madhe në Mal të Zi Alison Kemp,  ambasadorja e Republikës së Gjermanisë në Mal të Zi Dr. Robert Veber, ndihmës ambasadorët e   Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, sekretari gjeneral i Ministrisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm Sasha Radulloviq, drejtoresha gjeneralë e Drejtorisë për Ambientin Jetësor Ivana Vojinoviq, kryetari i komunës  Loro Nrekiq, nënkryetarja Hadixha Gjoni dhe kryetarët e klubeve të partive pulitke  në parlamentin lokal.

SHKARKO APP