Kroacia gati për euron – Mund të hyjë në qarkullim më 1 Janar 2023

Kroacia mund të përqafojë monedhën e përbashkët europiane që prej Janarit të vitit 2023, deklaroi kreu i Bankës Qendrore në vend, vetëm një ditë pasi autoritetet dërguan një letër për t`u futur në listën e pritjes së vendeve që duan të fusin euron si monedhën e tyre zyrtare. Autoritetet vendase janë të bindura se deri në 2023 do t`i plotësojnë të gjitha kriteret e duhura dhe ato të konvergjencës me standardet europiane të monedhës së përbashkët. Sipas bankës qendrore në vend, Kroacia mund t`i arrijë kriteret e kërkuara që vitin e ardhshëm, duke bërë që monedha të hyjë në fuqi 2 vite më vonë.

Veç Kroacisë, që për momentin është vendi i fundit që është anëtarësuar në Bashkimin Europian, në listën e pritjes janë edhe dy shtetet të tjera europiane, si Bullgaria dhe Rumania. Këto tre shtete do t`i bashkoheshin vendeve ish komuniste si Estonia, Letonia, Lituania, Sllovakia apo Sllovenia, që e kanë përmbushur detyrimin e tyre për të braktisur monedhën kombëtare, si detyrim që rrjedh nga procesi i anëtarësimit në union i tyre në vitin 2004. Hungaria, Polonia dhe Çekia nuk kanë ende asnjë plan për t`u bërë pjesë e zonës së monedhës së përbashkët europiane.  Me 80% të depozitave në euro, ekonomia kroate është ajo që ka varësinë më të lartë ndaj euros nga të gjitha vendet që nuk e kanë adoptuar formalisht atë.

SHKARKO APP