Kryeministri i ri grek: Veto Maqedonisë së Veriut në BE
Kabineti i sapoformuar i kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis u betua në një ceremoni të zhvilluar në pallatin presidencial në Athinë. Pasi morën bekimin e Kryepeshkopit Jeronimo, ministrat e rinj dhe zëvendësit e tyre nisën menjëherë punën.
Demokracia e Re erdhi në pushtet me premtimet për rritje investimesh, hapje të vendeve të reja të punës, ulje të taksave dhe rrëzimin e marrëveshjes për emrin me Maqedoninë Veriore. Duket se ekzekutivi i ri grek, është i përkushtuar seriozisht në këtë çështje, që mund t’i kushtojë Shkupit çeljen e negociatave.
“Marr detyrën mes ndjeshmërisë në rritje për shkak të marrëveshjes së papranueshme të Prespës. Ne do të përdorim veto në Bashkimin Europian për të reduktuar efektet e ujdisë”, u shpreh zv/ministri për Maqedoninë dhe Trakën, Theodoros Karaoglou.
Të njëjtin paralajmërim mori dhe Shqipëria gjatë periudhës së fushatës, me vetë liderin e Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis që kërcënonte të ndalonte procesin e integrimin me vendosjen e vetos nëse Tirana nuk do të respektonte të drejtat e minoritetit grek. Megjithatë qeveria e re ende nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë çështje, për të cilën duhet pritur muaji tetor.