Kryeministrja “gay”, në krye të Serbisë ku fitonin homofobët
Ana Brnabiç ka ndryshuar historinë e Serbisë, të paktën për një gjë: për homoseksualët flitet më hapur. Ministrja e Pushtetit Lokal ka lënë përshtypje si teknokrate që punon shumë. Ajo është propozuar nga presidenti Aleksandar Vuçiç për kryeministre.
“Është iluzion të presim investime të huaja, kredi të mira dhe zhvillim ekonomik pa stabilitet rajonal. Dhe kjo është e rëndësishme”, ka thënë Brnabiç. 42-vjeçarja ka fituar edhe çmime nga komuniteti LGBT. Vetë ajo nuk është deklaruar shumë rreth seksualitetit të saj, por propozimi i saj për drejtimin e qeverisë ka shkaktuar pakënaqësi.
Një partner politik i shefit të diplomacisë, Ivica Daçiç ka thënë se do një njeri familjar me fëmijë. Vota e deputetëve mund të ndahet, pasi një pjesë e tyre fshehurazi nuk e durojnë lehtë faktin të jenë pjesë e një qeverie të udhëhequr nga një lesbike.
Politikën pritet ta udhëheqë vetë Daçiç, ndërsa punën Brnabiç. Stefan Shparavallo është aktivist për të drejtat e komunitetit LGBT.
“Vetë fakti që njerëzit do të shohin çdo ditë një homoseksual në një post kaq të lartë do të japë efekt, pasi kjo temë, perveçse në Beograd, në qytetet e tjera është një tabu”, thotë Shparavallo.
Shumë mendojnë se ky është një veprim për publicitet politik. Por nuk dihet se nga do të orientohen deputetët serbë në propozimin për zëvendësimin e Vuçiç në kryeministri./TCH/