Kryeministrja serbe prin Paradën e Krenarisë në Beograd
Ka kaluar e qetë dhe pa incidente Parada e Krenarisë në Beograd e cila u mbajt gjatë të dielës që lamë pas, 16 shtator 2018.
Pjesëmarrësit e Paradës nën sloganin “Thuaj Po”, parakaluan në rrugët kryesore të Beogradit dhe mbërritën në Parkun Studentor vetëm pas orës 3 të pasdites.
Ecja kaloi në mënyrë paqësore dhe u sigurua nga një numër më i vogël policësh sesa në vitet e mëparshme.
Pjesëmarrësit u drejtuan nga Kryeministrja serbe Ana Brnbabiç, Ministri i Punës Zoran Gjorgjeviç dhe Ministri i Administratës Shtetërore Branko Ruzhiç.
Pjesë e paradës ishin dhe ambasadorët e BE dhe SHBA të akredituar në Serbi.
Gjatë parakalimit të komunitetit LGBTI, qytetarë nga disa tarraca hodhën konfeta, ndërsa pjesëmarrësit mbanin balona ylber.
Parada filloi në sheshin e Slavija,ku gazetarja Suzana Trninić, shpalli zyrtarisht të hapur paradën e krenarisë.
“Nuk mund të rri në heshtje, besoj fuqimisht se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë dhe se askush nuk duhet të diskriminojë askënd në asnjë rrethanë”, tha Susanna Trninic.
Më herët u njoftua mbretëresha e re e paradës, Dita van Til, e cila u shfaq në një kostum folklorik serb dhe tha se dëshiron të tregojë se “dashuria është një vlerë tradicionale”.
Organizatorët e Paradës së Krenarisë vunë në dukje se kishte progres në ushtrimin e të drejtave të komunitetit LGBTI, por që ishte shumë i ngadalshëm.
Ata thanë se presin që qeveria të miratojë ligjin mbi partneritetet e regjistruara dhe ligjin e identitetit gjinor.
Një grup më i vogël që ishte kundër mbajtjes së paradës u mblodh rreth orës 13:00 pranë Kishës së Shën Markut, por policia e pengoi daljen e tyre në rrugën e Mbretit Milan, ku po lëviznin pjesëmarrësit e paradës.