Kujtimi i Romeo dhe Zhulietës së Sarajevës rikthen debatin për martesat e përziera
Përvjetori i vdekjes së çiftit që u njoh botërisht si “Romeo dhe Zhulieta e Sarajevës” e ka kthyer vëmendjen te vështirësitë me të cilat hasen çiftet e martesave të përziera në vend.
Nga Danijel Kovacevic, BIRN
Senadi dhe Ivana janë një çift i ri nga Banja Luka të cilët aktualisht jetojnë në Sarajevë. Senad është boshnjak dhe Ivana serbe dhe të dy planifikojnë ta kurorëzojnë marrëdhënien e tyre afatgjatë me martesë “një ditë”, siç thotë Senad duke buzëqeshur.
Ata i thanë BIRN se deri më tani, nuk kanë hasur probleme të mëdha për shkak të “veçorive” të tyre, megjithëse sipas Ivanës “është e vështirë të mos ia vësh veshin shikimeve të njerëzve kur i themi se jemi çift”.
“Martesat dhe marrëdhëniet e përziera mes kombësive të ndryshme të Bosnjës mund të funksionojnë shumë mirë… pavarësisht shikimeve të çuditshme,” shton Senad.
Këtë maj, ashtu si 23 vite të shkuara, përvjetori i vdekjes së Romeo dhe Zhulietës së Sarajevës ka rindezur debatin publik për fatin, statusin dhe të ardhmen e çifteve dhe martesave të përziera etnikisht në vendin që është ende i ndarë.
Admira Ismiç, një boshnjake 25-vjeçare [boshnjake e Bosnjës] dhe Bosko Brkiç, një 24-vjeçar serb i Bosnjës, u vranë që të dy në luftën e Bosnjës, ndërsa tentonin të largoheshin nga kryeqyteti i rrethuar në kërkim të një të ardhme më të mirë gjetkë.
Një snajper i panjohur i vrau ata më 19 maj 1993, pasi po përpiqeshin të kalonin një nga frontet më të rrezikshme të luftës në qendër të Sarajevës. Forcat serbe të Bosnjës dhe ushtria boshnjake që të dyja kanë mohuan që të kenë shtënë mbi çiftin.
Trupat e tyre mbetën për ditë në mes të tokës së askujt derisa forcat serbe të Bosnjës i morën dhe i varrosën në periferi të Lukavicës që ishte nën sundimin e serbëve. Me kërkesë të familjeve të tyre, eshtrat e tyre u shpërngulën pas luftës në varrezat Lion të Sarajevës.
Fotot, video dhe artikuj lajmesh rreth çiftit, që u bë i njohur në mbarë botën si “Romeo dhe Zhulieta” e Sarajevës, kanë qarkulluar që nga ajo kohë për të dëshmuar mizornë njerëzore. Artistët kanë shkruar këngë për ta, ndërkohë që jeta e tyre e shkurtër dhe tragjike ka frymëzuar vepra operistike dhe drama në teatër.
“Kohët e vështira gjithmonë sjellin dashuri madhështore. Ata nuk ishin nga i njëjti fis, nuk kishin të njëjtin Zot, por kishin njëri-tjetrin dhe një ëndërr për të lënë pas gjithçka”, thotë teksti i këngës “Bosko dhe Admira “, krijuar nga një prej bandave më të famshme rrok në Sarajevë, Zabranjeno Pusenje [Nuk Lejohet Duhani] në vitin 2013, në 20 vjetorin e vdekjes së çiftit.
“Martesat e përziera në Bosnje-Herzegovinë: Guximi për të dalë nga ‘grupi yt etnik’”, shkruante një artikull për këtë çështje, botuar nga Radio Europa e Lirë javën e kaluar.
Në ish-Jugosllavi, Bosnja dhe Hercegovina njihej si republika me më shumë martesa “të përziera”.
Sot, megjithatë, sipas të dhënave të publikuara nga mediat, më pak se 4 për qind e të gjitha martesave në Bosnje janë mes personave nga grupe të ndryshme etnike.
Pasi provuan të zhvendosen, fillimisht në Banja Luka dhe tani në Sarajevë, Senadi dhe Ivana po shohin mundësitë për t’u larguar nga vendi, jo vetëm për vete, por për hir të fëmijëve që planifikojnë të kenë.
Fëmijët nga martesa të përziera përballen me më shumë probleme se të rriturit.
Për shembull, kur shkojnë në kopshte dhe më vonë në shkolla, atyre u duhet të zgjedhin se cilat lëndë fetare do të ndjekin. Kur aplikojnë për të hyrë në shkollë, ose më vonë për të gjetur një punë, atyre u duhet gjithashtu të deklarojnë shtetësinë.
Një studim i vitit 2010, “Martesat e përziera në BiH: Nga të dëshirueshme për të përbuzura”, thotë se shumica e fëmijëve boshnjakë nga martesat e përziera refuzojnë të deklarojnë kombësinë që i përkasin.
Kur njerëzit refuzojnë të vetëdeklarohen si anëtarë të një prej tre grupeve kryesore etnike dhe fetare në vend, ata transferohen automatikisht në kategorinë e katërt kushtetuese, të quajtur “të tjerët”, që shumë njerëz e shohin si poshtëruese dhe ofenduese.
“Para luftës, gjatë kohës së socializmit, të ashtuquajturat martesa të përziera kishin një vlerë dhe shteti i shihte në mënyrë miqësore. Tani, ideologjia mbizotëruese në Bosnje-Hercegovinë është kundër martesave të përziera. Sot, ideologjia na mban brenda kufijve etnikë,” thotë psikologu Srdjan Puhalo.
“Ironikisht, martesat mes boshnjakëve – të cilitdo grupi etnik – dhe të huajve, si gjermanët, britanikët apo amerikanët, nuk përballen me të njëjtin problem. Ato nuk konsiderohen si martesa ” të përziera” dhe, si pasojë, ato janë më të pranueshme se martesat midis dy boshnjakëve të një kombësie tjetër”, përfundoi Puhalo.