Kurti: Do shkruaja statutin për asociacionin në Ohër, por BE nuk pranoi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është vetëofruar në Ohër që të shkruante draft-statutin për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, por Bashkimi Europian nuk pranoi.
“Unë kam shprehur gatishmërinë ta bëjë këtë, por aso kohe mu ka thënë se njëherë duhet të bëjë ekipi menaxhues. Ai ekip menaxhues edhe statusin edhe punën e ka jo aq të njohur, megjithatë ky ka qenë qëndrimi i ndërmjetësimit. Ndërsa, unë si kryeministër i Kosovës kujdesem për kushtetutshmëri, ligjshmëri dhe që gjithçka të jetë në funksion me qëllimet dhe parimet tona”, tha Kurti.
Kurti nënvizoi se qeveria e Kosovës nuk ka asnjë anëtar në këtë ekip menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit. Madje tha se ky ekip nuk i është përgjigjur asnjëherë thirrjeve të institucioneve të Kosovës për takim.