Kurti kundër të gjithëve, opozita do koordinim me ndërkombëtarët: Nuk ka shaka me Rusinë pranë nesh!
Debatit të krijuar në lidhje me çështjen e dinarit serb, nuk do arrinte kurrsesi t’i rrinte larg opozita në Kosovë, e cila u bashkohet zërave të ndërkombëtarëve duke kritikuar qeverinë Kurti. Por teksa të huajt nuk e njohin edhe aq mirë realitetin aty, për ish-ministrin e Brendshëm Zenun Pajaziti të Partisë Demokratike të Kosovës, arsyeja është se nuk duhet t’i jepen arsye Vuçiçit që të ngrejë serbët në Veri. Në një intervistë për gazetarin tonë Tomorr Avdia ai thotë se Kurti po e përdor për qëllime politike por kjo ka kosto për Kosovën.
“Kemi të bëjmë me veprime populiste të kësaj qeverie që për më shumë sesa një zgjidhje të problemeve që duhet të zgjidhen, pasi shumica e tyre janë legjitime për ne dhe shtetin tonë, duhet të ketë zgjidhje të mira kreative në koordinim të plotë me partnerët, ashtu siç kemi koordinuar çdo proces deri më tash. Është e drejtë legjitime e Bankës Qendrore të Kosovës për të vendosur rend dhe ligj në çdo situatë, por me veprimet që po shohim po i japin një rast qeverisë së Beogradit që i ka manipulu ata qytetarë që të dalin si kujdestarë të nevojave të tyre. Veprime absolutisht të panevojshme, populiste, për nevoja krejtësisht partiake për qeverinë në pushtet. Të njëjtin veprim kjo qeveri e pati bërë me tabelat. Kishte një tërheqje të vërejtjes nga ambasada Amerikane, nga partnerët dhe këta nuk është se e dëgjuan me kohë. Edhe tash, a dojmë të koordinohemi me partnerët, apo dojmë të bëjmë veprime të njëanshme?”
Më tej, Pajaziti shtoi se situata aktuale mund të precipitojë në gabime fatale për Kosovën, duke i dhënë të drejtë Aleksandër Vuçiç që të krenohet me rolin e tij si kujdestar i të drejtave të minoritetit serb.
“Tash nuk është shaka. Veprimet e tashme mund të jenë me pasoja më të mëdha për faktin se kemi zhvillime shumë dramatike afër nesh, me ndërhyrje ose prezencë të Rusisë më të shtuar etj… Sikur një gabim, s’po dua të krahasoj me veprimet kriminale të serbëve në Veri, por sikur me gabimet e tyre që i dhanë mundësi Prishtinës zyrtare që të bëjnë rendin dhe ligjin atje, ashtu mund t’i japim me gabimet e Prishtinës një rast Vuçicit që me të padrejtë tregohet që është kujdestar i të drejtave të serbëve.”