Kurti pritet në Ankara nga presidenti Erdogan: Mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u mirëprit këtë të premte në Ankara nga Presidenti Rexhep Taip Erdogan, për një takim bilateral dhe drekë punë. Kurti dhe Erdogan diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe, raportet ndërinstitucionale, zhvillimet rajonale dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, si dhe ato të sigurisë e mbrojtjes.

Të hënën do të zhvillohet forumi i parë ekonomik i bizneseve të Kosovës dhe Turqisë, që paraqet një mundësi për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe investimeve të huaja.

Kurti shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë gjithë etapave të ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe zhvillimit të tij, sikurse shprehu edhe falënderimin për përkrahjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për votën e deputetëve turq në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill të këtij viti dhe qëndrimin e Qeverisë së Turqisë në Komitetin e Ministrave të kësaj organizate.

Ky ishte takimi i dytë dypalësh ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Erdogan. Takimi i parë i këtij lloji u zhvillua në Stamboll në shkurt të vitit 2023.

SHKARKO APP