Kurti takon deputeten britanike Kearns: Ndëshkimi i Serbisë, vendimtar për mospërsëritje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka përsëritur gjatë një takimi me deputeten britanike Alicia Kearns të dielën se Serbia duhet të ndëshkohet për sulmin e muajit të kaluar në veri të Kosovës “në mënyrë që të mos e përsërit atë më”.

Qeveria e Kosovës tha se në takim mes Kurtit dhe Kearnsit “u theksua që prioritet kryesor për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve”. Rreth dy muaj para sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator – ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku – Kearns kishte thënë se “armët po kontrabandohen në autoambulanca dhe më pas po ruhen në objektet e kishave”.

Policia e Kosovës ka gjetur arsenal të jashtëzakonshëm armës në veri pas sulmit, për të cilat tha se janë futur në Kosovë përmes Serbisë. Kosova e ka akuzuar Serbinë se tentoi ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës”, gjë të cilën Serbia e ka mohuar, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Kurti, sipas njoftimit të Qeverisë, shprehu edhe “përkushtimin e plotë” për zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të zbatimit të saj, që Kosova dhe Serbia i arritën në fillim të këtij viti. Takimi i Kurtit me Kearns vjen vetëm një ditë pasi lideri kosovar i priti emisarët perëndimorë në Prishtinë të shtunën.

Emisarët perëndimorë i kërkuan Prishtinës dhe Beogradit gjatë takimeve të së shtunës me Kurtin në Prishtinë, dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Beograd, që t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe ta zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.

Kearns qëndroi në Kosovë këtë fundjavë me ftesë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën u takua dje. Ajo u prit edhe nga kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca. /REL/

SHKARKO APP