Kuvendi i Maqedonisë zgjedh kryeprokurorin, mungonin deputetët e opozitës
Kuvendi i Maqedonisë ka zgjedhur Lubomir Joveskin kryeprokuror të ri. Zgjedhja e tij ka kaluar me një votim të ngushtë, pasi shumica për tre orë nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme, aq edhe sa kanë votuar për propozimin e Qeverisë.
Opozita e drejtuar nga VMRO-ja nuk ka marrë pjesë në seancë, ndërsa nuk kanë marrë pjesë as deputetët e Lëvizjes Besa, partisë opozitare shqiptare.
Kryeprokurori i ri, Joveski thotë se do të angazhohet për rikthimin e dinjitetit të gjyqësorit në vend, apo ngritjen e profesionalizmit dhe largimin e ndikimeve politike. Institucioni i Prokurorisë Publike republikane ka rol të madh, si në caktimin e prokurorëve në të gjithë gjykatat themelore të vendit, por edhe vendos për çështje të rëndësishme në ndjekjen dhe procedimin e lëndëve të ndryshme penale.
Zgjedhje e kryeprokurorit pa praninë e opozitës, nga shumica parlamentare nuk është komentuar, por paraprakisht, kryeministri Zoran Zaev tha se VMRO-DPMNE-ja duhet të jetë pjesë e reformave, pasi vetëm në këtë mënyrë sipas tij, vendin mund të ecë në rrugën e integrimit euroatlantik.
Zaev në veçanti tha se pret mbështetjen e opozitës kur në rend ditë do të jenë ligjet që kërkojnë dy të tretat e votave.
Bashkimi Demokratik për Integrim nga prokurori i ri pret që të merret seriozisht edhe me proceset që vlerësohet se janë të montuara e që kanë të bëjnë me shqiptarët.
Lubomir Joveski në postin e Prokurorit Publik të Republikës vjen në vendin e Marko Zvërlevski, i cili nga detyra ishte shkarkuar më 17 gusht muaj, pas kritikave të shumta për punën e tij dhe lidhjet me pushtetin e kaluar. Për Zvërlevskin ishin publikuar edhe biseda telefonike nga afera e përgjimeve, se si kurdiste apo ndikonte në procese të ndryshme gjyqësore.
Për shkak të mosbesimit në Prokurorinë republikane ishte themeluar një Prokurori Speciale, e cila deri më tani ka udhëhequr të gjitha lëndët që kishin të bëjnë me aferën e përgjimeve.