LDK: Presidenti Begaj refuzoi të na takojë në seli. Shprehim habinë për këtë qasje të pazakontë
Vizita e parë e Bajram Begajt si President i Shqipërisë në Kosovë, u mbyll me një shije jo të mirë. Lidhja Demokratike e Kosovës, thonë se Presidenti Begaj ka refuzuar që t’i takojë drejtuesit në selinë e partisë. LDK-ja ka shprehur keqardhje për morealizimin e takimit zyrtar me presidentin e ri të Shqipërisë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës shprehë keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me Presidentin e ri të Shqipërisë, shkëlqesinë e tij Bajram Begaj; me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë. Për dallim nga krerët insitucional paraprak të Shqipërisë, Presidentët e shkuar, Kryeminisrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprak, Presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qëndrore të saj”.
Mësohet se Presidenti shqiptar ka kërkuar nga LDK-ja që të takohen në ambiente të tjera. Por LDK-ja e konsideron qasje të pazakontë refuzimin e Begajt për t’i takuar drejtuesit në selinë e partisë.
“Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj; të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë. LDK ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar, siç ka qenë përherë”,-thuhet në reagimin e LDK-së për gazetën “Express”.