Lëvizja BESA shkarkon kryetarin Bilal Kasami, ai e quan vendimin e paligjshëm
Politika shqiptare në Maqedoni vazhdon të kalojë një moment të vështirë. Lëvizja BESA sot ka shkarkuar kryetarin Bilal Kasami, për shkak të rezultatit në zgjedhjet lokale, ndërsa ai vetë e cilëson një vendim të paligjshëm.
BESA lindi si lëvizje nga zhgënjimi me partitë tradicionale shqiptare në Maqedoni, por që nuk i rezistoi përplasjeve. Vetëvendosja nuk është e vetmja parti shqiptare në rajon e përballur me një krizë të thellë të brendshme. Përçarjet kanë pllakosur edhe Lëvizjen BESA në Maqedoni, kryetari i së cilës Bilal Kasami u shkarkua nga anëtarët e kryesisë qendrore pas një takimi të mbajtur në selinë e saj të Shkupit.
Vetë Kasami reagoi ashpër duke e cilësuar këtë vendim të paligjshëm dhe jashtë statusit të partisë.
“Këshilli Qendror ka shkelur me çdo veprim të tij statutin e kanë dëmtuar Lëvizjen BESA. Pjesëtarët e tij kanë hyrë në mënyre të paligjshme në selinë në Shkup ashtu siç hakuan edhe faqen time personale si dhe atë të Lëvizjes”, u shpreh Kasami.
Lëvizja BESA, u krijua në 2014-tën, si vullnet i një grupi të pakënaqur me përfaqësimin që po u bëhej shqiptarëve në skenën politike të Maqedonisë.