Lideri i “Besa”-s: Duhet qeveri teknike dhe zgjedhje të reja

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni që u mbajtën më 11 dhjetor prodhuan edhe surpriza.

Lëvizja BESA e cila për herë të parë mori pjesë në një proces zgjedhor doli surprizë e këtyre zgjedhjeve.

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilal Kasami në një intervistë për Anadolu Agency (AA) ka folur për procesin zgjedhor në Maqedoni, rezultatet, parregullsitë zgjedhore, formimin e qeverisë së re, akuzat ndaj partisë së tij nga qarqe të caktuara dhe çështje të tjera.

Ai gjatë intervistës deklaroi se duhet të rishqyrtohet kërkesa e Lëvizjes BESA për qeveri teknike dhe e njëjta qeveri të organizojë më pas zgjedhje të reja në vend.

Ai gjithashtu theksoi se BESA është e dëmtuar në dy zona zgjedhore si pasojë e parregullsive.

Sipas tij, këto parregullsi i kanë marrë dy mandate deputetësh partisë së tij.

Duke komentuar rezultatin e partisë së tij në zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni, Kasami tha se edhe përkundër presioneve të shumta Lëvizja BESA doli surprizë e këtyre zgjedhjeve.

“Edhe përkundër faktit që ka patur shumë presion ndaj votuesve tanë, edhe përkundër faktit që BDI ka bërë shantazhime ndaj votuesve të administratorëve të nëpunësve shtetërorë Lëvizja BESA ashtu edhe siç pritej doli fituese surprizë e këtyre zgjedhjeve. Ne vazhdojmë luftën tonë politike që votuesi të ketë të drejtën e cila është e drejtë elementare njerëzore, të drejtën e votës dhe askush të mos ia cenojë atë të drejtë”, tha Kasami.

Në lidhje me parregullsitë, kreu i Lëvizjes BESA tha se të njëjtat i kanë marrë dy deputetë partisë së tij në dy zona zgjedhore. Sipas tij, në çdo vendvotim ka patur parregullsi.

Në intervistën për AA, ai gjithashtu komentoi edhe akuzat ndaj BESA-s për gjoja “parti euroaziatike”.

“Të akuzohesh për orientime të tilla nga ata të cilët bazë ideologjike të tyre e kanë Rusinë, komunizmin, marksist-leninizmin vërtetë është e pamoralshme, por ja që në politikë gjithçka është e mundur dhe këta e shfrytëzuan këtë të drejtë politike që të akuzojnë Lëvizjen BESA edhe përkundër faktit se Lëvizja BESA është i vetmi subjekt politik, autokton, autentik dhe autonom i shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë”, tha mes tjerash Kasami.

SHKARKO APP