Ligji i ri në Kroaci, konsiderohet vepër penale transferimi i informacioneve nga hetimet policore tek gazetarët

Megjithë protestat e forta, parlamenti kroat e miratoi një ligj që e vështirëson punën e gazetarëve në Kroaci. Edhe masa të tjera të kryeministrit në largim, Andrej Plenkovic bëhen shkas për shqetësim.

Në fund gjërat rrodhën shpejt: Pas një debati shumë të ashpër, por të shkurtër parlamenti në Kroaci miratoi në seancën e fundit të legjislaturës të enjten (14.03.2024) me votat e koalicionit qeverisës një ligj mjaft të kontestuar të kodit penal. Sipas ligjit të ri konsiderohet si vepër penale transferimi i informacioneve nga hetimet policore tek gazetarët dhe ndiqet penalisht sipas ligjit. Kështu whistleblowerët e zbuluar kërcënohen nga disa vite burg.

Qëkur Andrej Plenkovic, kryeministër dhe kryetar i partisë më të fuqishme në vend, Unionit Demokratik Kroat, HDZ para gjashtë muajsh bëri të ditur futjen e një vepre të re penale “zbulimin e palejuar të përmbajtjes së hetimeve apo masave të provave”, opozita dhe organizatat e gazetarëve e kanë kritikuar ashpër qeverinë.

Kryeministri kroat, Andrej Plenković

Ligj i “qëllimeve të këqija”

Mijëra gazetarë nënshkruan një peticion kundër nenit të ri të ligjit, u organizuan protesta kundër qeverisë, në debatet parlamentare u përdor një gjuhë e ashpër dhe fajësime të mëdha. Bëhet fjalë për një “ligj për mbulimin e korrupsionit politik”, ishin të mendimit shumë politikanë të opozitës dhe analistë në mediat kritike të qeverisë. Kryeministri Plenkovic u krahasua herë me Hitlerin, herë me kryeministrin hungarez, Viktor Orban apo presidentin serb, Vucic. Qeveria u akuzua për përpjekje për shtypjen e mendimit të lirë dhe “mbytjen e demokracisë që janë tipare të një regjimi totalitar”, akuza tjetër, “vendi është i pushtuar nga mafia që është në pushtet”. Po krijohet një “ligj i qëllimeve të këqija”, që “fsheh format e ndryshme të mashtrimit të parave publike dhe kriminaliteti, që sundojnë në shoqërinë kroate”. Në media u fol për një “Lex AP”, shkurt për kryeministrin Plenkovic që megjithë kritikat i qëndroi nenit të ri.

Protesta kundër qeverisë

Kufizim i lirisë së mendimit

Kroacia prej vitesh tronditet nga skandale të shumta. Plenkovicit në tetë vitet e fundit i është dashur të ndërrojë rreth 30 ministra, një pjesë të madhe për shkak të përfshirjes në skandale të ndryshme. Shumica u zbuluan nga mediat, pasi whistlblower dhanë në media informacione të ndryshme si përmbajtje të një SMS-je apo E-maileve privatë. Maja Sever, presidente e Shoqëtës së Gazetarëve të Kroacisë dhe Federatës së Gazetarëve Europiane, EJF është e mendimit se pikërisht këto janë shkak i nenit të ri të kodit penal. “Kjo është bërë për Plenkovic shumë e rrezikshme. Prandaj ai përpiqet të ndalë këtë”, thotë ajo për DW.

“Ky ashpërsim i ligjit bën një kriminalizim të gazetarëve si autorë apo bashkëautorë të një vepre penale”, kritikon Sever. Përmes ligjit të ri në Kroaci kufizohet liria e mendimit. “Nëse bëhet fjalë për një vepër penale, policia ka në dorë masa të tjera kundër gazetarëve se ndryshe, ajo mund të kontrollojë celularët e tyre, laptopët apo dhomat redaksionale” për të gjetur burimin e informacionit. Ky është sulm kundër raportimit të lirë”, paralajmëron Sever.

Qeveria i hedh poshtë akuzat. Qëllimi i ashpërsimit të ligjit është vetëm “të sigurohet prezumimi i pafajësisë” dhe “të mbrohen të drejtat e personalitetit të njeriut, kundër të cilit zhvillohen hetimet”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Ivan Malenica.

Edhe Këshilli i Europës ka shprehur shqetësimin për zhvillimin e situatës së mediave në Kroaci. Në një raport vjetor të publikuar mbi lirinë e medias, Kroacia përmendet në disa vende. Në lidhje me Lex AP thuhet se “kritikët paralajmërojnë që ky ligj i jep fund gazetarisë së pavarur në Kroaci dhe mund të përcaktojë një epokë të re të mediave të kontrolluara nga shteti. Kjo është në kundërshtim me standartet europiane.”

Maja Sever, presidente e Shoqatës Kroate të Gazetarëve

Shndërrimi i një nxënësi shembullor

Por ky nuk është ndryshimi i vetëm ligjor. Edhe masa të tjera të Andrej Plenkovic dëshmojnë, sipas vëzhguesve, për një transformim të habitshëm të një nxënësi shembullor europian, në lidhje me bashkëpunimin me institucionet europiane në një drejtim të marrë më parë nga politikanë të tjerë autoritarë europianë, si kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Kështu Plenkovic megjithë protestat vendosi si Prokuror të Përgjithshëm, njeriun “e tij”, Ivan Turudic, megjithëse ish-gjykatësi me prova kishte bërë dëshmi të gabuara. Ai kishte komunikuar në mirëbesim me persona të përfshirë në afera korrupsioni dhe të paktën ishte takuar dy herë me ish-presidentin e klubit Dinamo Zagreb, të akuzuar për korrupsion, në kohën që kundër zhvilloheshin hetime. Si prokuror i përgjithshëm, Turudic është përgjegjës ndër të tjera edhe për aferat e mëdha të korrupsionit. Turudic u betua në mars, megjithëse në maj do të fillojë nga detyra, betimi i tij u krye në mandatin e Plenkovic dhe para zgjedhjeve. Të gjithë gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese e bojkotuan ceremoninë, një hap i pazakontë për marrëdhëniet kroate.

Maja Sever thotë se këtyre i shtohet një numër në rritje i rasteve të presionit ndaj mediave që kërcënohen me heqjen e të ardhurave nga reklamat e institucioneve shtetërore, nëse raportojnë në mënyrë kritike. E gjitha kjo tregon për një përpjekje për “orbanizim” të Kroacisë”, pra të qeverisjes sipas modelit të Viktor Orbanit, thotë Sever. “Bëhet fjalë për destabilizimin e institucioneve demokratike dhe të gjithë shoqërisë.”

Nëse pas këtyre masave vërtet fshihen “qëllime të rrezikshme” si pretendon opozita, ndoshta mund të kuptohet pas zgjedhjeve parlamentare në Kroaci që zhvillohen së shpejti dhe zgjedhjeve të Parlamentit Europian në qershor. Në të kaluarën është spekuluar shpesh se Andrej Plenkovic në të vërtetë nuk interesohet shumë për politikën në Kroaci, po synon një post të lartë në Bruksel.

DW

SHKARKO APP