Liria e medias, korrupsioni dhe institucionet e dobëta pengojnë Ballkanin
Sipas raportit të përvitshëm të Freedom House mbi lirinë në botë, mungesa e lirisë së medias, korrupsioni dhe institucionet e dobëta mbeten sfidat kryesore të vendeve të Ballkanit, ndërsa Serbia paraqiti një trend veçanërisht shqetësues të rënies së lirisë gjatë vitit 2017.
Raporti i përvitshëm “Liria në Botë” i publikuar të martën nga organizata amerikane Freedom House kategorizoi si “pjesërisht të lira” vendet e Ballkanit si Bosnja, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria ndërsa për Serbinë dha kambanën e alarmit si një vend që po shkon drejt rënies së lirisë.
Për këtë të fundit, raporti paralajmëroi se toleranca e BE-së ndaj autoritarizmit të presidentit Aleksandër Vuçiç e ka lejuar atë të “mënjanojë më shumë opozitën dhe të minonte atë që ka mbetur nga mediat e pavarura pas marrjes së presidencës në prill 2017”.
“Serbia është në trend rënës për shkak se… Vuçiç vazhdoi konsolidimin e pushtetit, përmes metodave të paqarta të financimit të partisë, politizimit të zbatimit të ligjit dhe përpjekjeve për të penguar gazetarët kritikë me hetime të pasurive dhe përmes njollosjes duke përdorur median e qeverisë,” thuhet në raportin e zbuluar më herët ekskluzivisht për BIRN.
Një redaktore e Freedom House, Shannon O’Toole, i tha BIRN se gazetarët dhe organizatat e pavarura në Ballkan kanë bërë punë të jashtëzakonshme për të ekspozuar krimin, korrupsionin dhe abuzimet me të drejtat.
“Dhe ata e bëjnë këtë duke ditur se mund të përballen me kërcënim apo të bëhen pjesë e fushatave të përbaltjes apo edhe dhunës fizike si rezultat i punës së tyre. Organizatat ndërkombëtare kanë detyrimin të ndihmojnë në fuqizimin e tyre teksa ata punojnë për të mbrojtur të drejtat politike dhe liritë e njeriut në rajon,” shtoi ajo.
Raporti tregon se ngjarjet në Ballkanin Perëndimor kanë shfaqur një nevojë për angazhim të vazhdueshëm nga demokracitë e mëdha në rajon.
Për Shqipërinë raporti u shpreh se vendi ka histori të zgjedhjeve konkurruese, ndonëse partitë janë shumë të polarizuara dhe shpesh përqendrohen te liderët.
“Vëzhgimet zbuluan se zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 qenë përgjithësisht të rregullta dhe të besueshme, ndonëse kishte raportime për blerje votash dhe problemet procedurale, si dhe mbajtja e votimeve u vonua për shkak të bojkotit të opozitës”, thuhet në të.
“Korrupsioni mbetet shqetësim dhe zhvillimi i medias së pavarur është problematik për shkak të ndërthurjes së interesave të fuqishme të biznesit, politikës dhe të medias”, shtoi raporti.
Raporti i Freedom House mbi të drejtat politike dhe liritë civile vlerësoi lirinë në 195 vende dhe 14 territore gjatë vitit 2017.
“Demokracia u përball me krizën e vet më serioze në dekada gjatë vitit 2017 teksa shtyllat e saj – përfshirë garancitë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të drejtat e minoriteteve, liria e medias dhe sundimi i ligjit – u sulmuan në të gjithë botën” thuhet në deklaratën shoqëruese të raportit.
Shtatëdhjetë e një vende pësuan rënie të të drejtave politike dhe civile, ndërsa vetëm 35 patën rritje.
“Në Maqedoni, ndërmjetësimi nga Uashingtoni dhe Brukseli ndihmuan në zgjidhjen e një krize politike gjatë një viti, duke hapur rrugën për një qeveri të re, të zgjedhur në mënyrë demokratike”, vuri në dukje raporti.
Në Bosnje, raporti thotë se politika mbetet e karakterizuar nga një ndasi e madhe partiake midis udhëheqësve nacionalistë të komuniteteve boshnjake, serbe dhe kroate të vendit.
“Korrupsioni mbeti i përhapur dhe ka pak vullnet politik për ta luftuar atë. Institucionet arsimore mbeten etnikisht të ndara”, theksoi raporti.
Në të shtohet se gazetarët boshnjakë vazhdojnë të përballen me pengesa dhe kërcënime.
Në Kosovë, raporti nënvizoi se ndërsa janë mbajtur zgjedhje të besueshme dhe kryesisht të administruara mirë, institucionet e vendit “mbeten të dobëta” dhe sistemi gjyqësor është “veçanërisht i pazhvilluar dhe nuk garantohet aksesi në proces të drejtë”.
“Mjedisi mediatik nuk është përmirësuar. Gazetarët vazhdojnë të përballen me ngacmime, kërcënime dhe sulme fizike,” tha raporti.
Freedom House vlerësoi se problemet me korrupsionin në sektorin publik dhe krimin e organizuar mbeten të njëjta për vendet e tjera si Bullgaria, Kroacia dhe Mali i Zi, megjithëse të drejtat e njeriut respektohen përgjithësisht në secilin prej vendeve të lartpërmendura.
Rumania shfaqet problematike në diskriminimin ndaj komunitetit rom dhe grupeve vulnerabël, si dhe në gjendjen e keqe të burgjeve.