Londra, pro çeljes së negociatave në qershor

Britania e Madhe thekson mbështetjen pro çeljes së negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pavarësisht se nuk ka rol aktiv në vendimmarrje, drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Britanisë, Andrew Page, thekson se përkushtimi ndaj Ballkanit është i përhershëm.

Edhe pse Londra nuk do të jetë e përfaqësuar në Këshillin e BE-së në qershor kur mund të vendoset për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, qeveria britanike thotë se e mbështet procesin e zgjerimit.

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Britanisë, Andrew Page, thekson se përkushtimi i Britanisë së Madhe ndaj Ballkanit Perëndimor është i përhershëm dhe do të vazhdojë i tillë edhe pas Brexit-it.

“Vlerësojmë se është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të mbërrijnë deri tek linja e fillimit e çeljes së negociatave në qershor. Ne u angazhuam për këtë edhe vitin e kaluar kur ishim pjesë e Këshillit të BE-së, por vendimi shty për një vit, pjesërisht për shkak të qasjes franceze,” thekson diplomati britanik.

Andrew Page sqaron gjithashtu se Britania e Madhe do të dyfishojë numrin e personelit në ambasadat britanike në rajon për fusha të tilla si sigurinë, lufta ndaj trafikut të drogës, trafiku i armëve të zjarrit apo trafikimi i qenieve njerëzore.

SHKARKO APP