“Luçiferi” dëmton rëndë bujqësinë në Ballkan
Një nga valët më të këqija të të nxehtit goditi Ballkanin këtë verë, ndërsa “Luçiferi” ka sjellë thatësira dhe ka djegur pyje, duke dëmtuar të korrat në rajon, thonë ekspertët.
Ndërsa shumica e popullsisë së Ballkanit vazhdon pushimet e verës, zyrtarët në rajon kanë filluar të llogarisin dëmin që vala e tejzgjatur e të nxehtit, të cilit i kanë vënë nofkën Luçifer ka shkaktuar në bujqësi.
Rajoni përjetoi një nxehtësi të jashtëzakonshme për pothuajse dy muaj, me temperaturat që i kaluan 35 gradë Celsius, me thatësira, si stuhi të shpeshta dhe madje edhe breshër.
Ekspertët paralajmërojnë se moti ekstrem ka shkatërruar drithërat, si dhe prodhimin e frutave dhe perimeve në të gjithë Ballkanin, gjë që gjithashtu ka një efekt negativ për blegtorinë dhe bulmetin.
Duke qenë se një pjesë e madhe e ekonomisë së rajonit varet nga bujqësia, dëmi do të ketë një ndikim të madh në ekonomitë e shumicës së vendeve të Ballkanit për disa kohë, theksojnë ekspertët.
Vala e të nxehtit ka djegur pyje në të gjithë rajonin, ku pasojat dhe kostot e dëmit po llogariten.
Bosnje-Hercegovina
Përfaqësuesit e bujqësisë në Entin e Federatës së Bosnjës kanë vlerësuar se blegtoria dhe prodhimi i qumështit do të përgjysëmohen në muajt e ardhshëm, që do të thotë se pothuajse 50 për qind e fermave të vogla mund të falimentojnë.
Në entitetin tjetër të Bosnjës, Republika Srpska, humbjet financiare të thatësirës së shkaktuar nga Luçiferi janë vlerësuar në më shumë se 300 milionë marka ose rreth 150 milionë euro.
Presidenti i Shoqatës së Prodhuesve Bujqësor të Republika Srpska, Stojan Marinkoviç, tha për BIRN se ky qe një vlerësim vetëm i dëmit të drejtpërdrejtë. Kostoja e tjera indirekte kanë për të qenë shumë më të larta.
“Po shohim tashmë rritje të çmimeve frutat dhe perimet, dhe presim që ndikimi më i madh të jetë në drithërat, kryesisht te misri dhe te luledielli, që janë shkatërruar në disa zona deri në 80 për qind”, tha Marinkoviç.
Ai shtoi se rritja e çmimeve të bagëtive do të çojë në rënie të numrit të tyre dhe në uljen e të ardhurave nga shpendët, rritja e derrave, mbarështimi i gjedhëve dhe format e tjera të prodhimit blegtoral.
Qeveria e RS njoftoi më 9 gusht se do të paguajë 11 milionë marka [rreth 5.5 milionë euro] për fermerët deri në fund të gushtit për të ndihmuar për dëmet e shkaktuara nga thatësira. Por shumica e fermerëve e shohin këtë ndërhyrje të qeverisë si pakicë dhe me vonesë.
Kosovë
Ministria e Bujqësisë në Kosovë tha për BIRN se ende nuk ka vlerësuar koston e dëmit të shkaktuar nga vala e të nxehtit dhe nga zjarret, sepse kanë ndodhur së fundmi, “kryesisht në fund të korrikut apo në pjesën e parë të gushtit”.
Megjithatë, fermerët në Kosovë e shohin situatën zymtë.
Fitim Krasniqi i cili zotëron rreth një hektar tokë bujqësore në Malësi të Vogël tha për BIRN se vala e të nxehtit e kishte rënduar biznesin e tij familjar.
“Instaluam një sistem ujitës për plantacionin e piperit, por kur temperaturat janë të larta, vaditja mund ta dëmtojë kulturën sepse temperatura e ujit nuk përputhet me atë të motit”, shpjegoi Krasniqi.
Nga hektari i piperit që mbijetoi këtë vit, Krasniqi pret të humbasë rreth 5,000 euro në krahasim me vitin e kaluar.
Një fermer tjetër, nga Rahoveci, Hasan Vuçiterna, tha se vala e nxehtësisë i kishte dëmtuar vreshtin, si dhe domatet e patatet.
“Krahasuar me vitin e kaluar, pres që të humb rreth 20,000 euro. Vala e nxehtësisë preku gjithçka që kisha mbjellë. Unë nuk pres ndonjë kompensim nga autoritetet për këtë dëm,” tha Vuçiterna për BIRN.
Për disa fermerë të tjerë, kohët e vështira kanë ardhur më parë. Kastriot Blakaj, i cili zotëron gjashtë hektar të mbjella me mollë në Kovrage, një fshat pranë qytetit perëndimor të Istogut, i tha BIRN se në pranverë ai e kuptoi se nuk do të shiste asgjë këtë verë.
Pemët lulëzuan shumë herët këtë vit dhe u përballën menjëherë me mot të ftohtë. Nuk ankohem për valën e të nxehtit aq shumë, sepse dëmi ishte bërë tashmë,” tha ai.
Ai e vlerëson dëmin që i është bërë në rreth 60,000 euro, më shumë se fitimet e tij nga shitja e mollëve në një vit.
Zyrtarët dhe ekspertët në Kosovë ende nuk kanë vlerësuar ndikimin e valës së nxehtësisë, thatësirës dhe zjarreve në 481,000 hektarë pyje të Kosovë, të cilat përbëjnë rreth 45 për qind të territorit të vendit.
“Ka qenë e pamundur që të bëjmë një raport të detajuar mbi dëmet e shkaktuara nga zjarret … por sipas të dhënave të përafërta, rreth 300 hektarë pyje u prekën nga zjarret,” tha për BIRN Faruk Bojaxhi, nga Autoriteti i Pyjeve të Kosovës.
Muhamet Zogaj, profesor në Fakultetin Bujqësor të Universitetit të Prishtinës, tha për BIRN se tymi dhe zjarret në pyje do të vrasin shumë faunë dhe florë, si dhe “ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës njerëzore”.
“Zjarret në pyjet e Kosovës shpesh kanë ndikim negativ në bujqësi, pasi djegin të korrat. Efektet e pas-djegies përfshijnë erozionin e tokës”, shtoi Zogaj.
Maqedoni
Maqedonia, e cila është një nga prodhuesit më të mëdhenj bujqësorë në rajon, është dëmtuar gjithashtu nga pasojat e “Luçiferit”.
“Rendimenti do të prishet, ndaj do të duhet të importojmë ushqim,” parashikoi Eftim Shaklev, president i Shoqatës së Fermerëve të Maqedonisë, duke shtuar se kjo me siguri do të çojë në rritje të çmimeve të produkteve.
Shoqata kërkon që qeveria maqedonase të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në bujqësi dhe të sigurojë subvencione për fermerët në mënyrë që ata të kalojnë këtë vit të vështirë.
Ilija Karov, dekan i Fakultetit të Bujqësisë në qytetin e Shtipit, tha se disa kultura kanë pësuar deri në 90 për qind humbje.
“Nëntëdhjetë për qind e misrit është shkatërruar dhe po e njëjta gjë edhe me jonxhën… kulturat e sallatës janë gjithashtu në një gjendje të dëshpëruar… të gjitha këto produkte janë djegur nga dielli,” – tha Karov.
Fermerët thonë se rezervat e ujit që zakonisht ndihmojnë në zvogëlimin e efektit të nxehtësisë ekstreme janë gjithashtu gjysmë të zbrazëta. Kjo do të thotë se edhe bimët si orizi, të cilat në përgjithësi e durojnë nxehtësinë, nuk mund të bëhen për shkak të mungesës së furnizimit të vazhdueshëm me ujë.
Serbi
Serbia nuk ka pasur zjarre të mëdha këtë verë, por thatësira e rëndë shkaktoi dëme të mëdha financiare për bujqësinë, thonë ekspertët.
Agro-ekonomisti Milan Prostran tha për BIRN se dëmtimi i drejtpërdrejtë i ekonomisë serbe të shkaktuar nga thatësira do të jetë rreth një miliardë dollarë amerikanë.
“Vlera mesatare [e prodhimit bujqësor] është rreth 5 deri në 5.5 miliardë dollarë,” tha Prostran, duke shtuar se humbja financiare totale do të shihej vetëm në shtator.
Sipas tij, prodhimi i të korrave ishte zvogëluar me 40-60 për qind në krahasim me vitin e kaluar.
Ai shtoi se rendimenti i zvogëluar ka të ngjarë të rrisë çmimin e misrit, i cili do të çonte në zvogëlimin e numrit të derrave dhe shpezëve.
“Do të kemi mjaft për konsumin tonë por nuk do të jemi në gjendje të arrijmë parashikimet për eksportet”, përfundoi Prostran. (BIRN)