Macron bisedë telefonike me Kurtin, i kërkon Asociacionin dhe përsëritjen e zgjedhjeve në veri
Presidenti i Francës, Emanuel Macron ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti të cilit i ka shprehur mbështetjen e palëkundur të Francës për pavarësinë dhe integrimin e Kosovës në BE. Macron nënvizoi përkushtimin e tij për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të ndërmjetësuar nga BE dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit.
Ndër të tjera presidenti francez, përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit duke nënvizuar edhe rëndësinë që Franca i kushton aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Sa i takon dështimit të votimit për revokimin e disa kryetarëve të komunave në very të Kosovës, Macron u shpreh i keqardhur, duke i kujtuar Kurtit se mbetet i domosdoshëm organizimi i zgjedhejve të reja sa më shpejt të jetë e mundur, këtë herë me pjesëmarrjen e popullsisë serbe.
Kujtojmë se me kërkesë të Listës Serbe, popullsia lokale e serbëve bojkotoi zgjedhjet ku do të votonin nëse do të konfirmonin në detyrë 4 kryekomunarët shqiptarë në veri të Kosovës.