Macron në Serbi, Daçiç: Shpresojmë se do t’i japë fund lojës me taksën
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të vizitojë ditën e sotme Serbinë. Sipas njoftimeve zyrtare presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe ai francez Macron, do të nënshkruajnë rreth 20 marrëveshje bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, si dhe 5 marrëveshje të tjera në fushën ushtarake.
Ndërkohë kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, deklaroi se shpreson se presidenti francez, gjatë vizitës në Beograd, do të ndërpresë lojën me “taksën”, të cilën e ka vendosur Prishtina ndaj mallrave serbe, si dhe do të japë garanci “se ajo do të përfundojë”.
“Askush nuk mund të më bindë se Evropa Perëndimore, në të cilën Franca është një nga udhëheqëset, dhe Shtetet e Bashkuara, nuk mund ta detyrojnë Ramush Haradinajn, për tetë muaj, të heqë një vendim të turpshëm administrativ”, tha ndër të tjera Daçiç.
Ai shtoi gjithashtu se ardhja e Macronit në Serbi shënon një nga vizitat më të rëndësishme të personaliteteve të huaja në dekadën e fundit, dhe se Beogradi ka shpresa të mëdha nga kjo vizitë.