Makron vs Salvini: Beteja ideologjike për të ardhmen e Europës
Nga Christopher Caldwell
Shenjë e parë, që Mateo Salvini ishte i vendosur t’i shpallte luftë Emanuel Makronit, u vu re në qershor të këtij viti, disa ditë pasi u emërua ministër i Brendshëm i Italisë. Salvini, partia e të cilit, Lidhja, dëshiron të reduktojë në mënyrë drastike numrin e emigrantëve që hyjnë në vend, bëri me dije se një anije shpëtimi e regjistruar në Gjermani, dhe që kishte në bord 629 emigrantë nga Afrika, nuk do të lejohej të zbarkonte në Siçili.
Makron reagoi me neveri. ”Politika e qeverisë italiane, është e neveritshme”- u shpreh një zëdhënës i lëvizjes së tij politike. Salvini u kundërpërgjigj, se nëse francezët donin të tregonin zemërgjerësinë e tyre, ata do të bënin mirë të mbanin zotimin e tyre të papërmbushur për të ushqyer dhe strehuar një pjesë të 100 mijë emigrantëve afrikanë, që Italia ka pranuar në secilin prej viteve të fundit.
Këtë javë, ajo që dukej si një antipati personale midis dy njerëzve, u shfaq si një betejë e gjithanshme për zemrat dhe mendjet e europianëve. Kur rebelët libianë sulmuan pozicionet qeveritare në Tripoli, duke kërcënuar marrëveshjet që Italia ka arritur mbi rolin bregdetar të Libisë, për të kufizuar largimet e emigrantëve nga brigjet e Afrikës Veriore, Salvini deklaroi para gazetarëve:“Pas kësaj fshihet dikush!”
“Dikush që nisi një luftë në 2011 vitin, të cilët s’duhej ta kishte filluar kurrë, dikush që bën thirrje për zgjedhje, pa u konsultuar me aleatët e tij dhe njerëzit në terren, dikush që përpiqet t’i imponohet kësaj çështje duke eksportuar demokracinë, gjë që nuk funksionon asnjëherë”.
Ditë më parë, Salvini kishte ftuar në Itali kryeministrin hungarez Viktor Orban, për të publikuar një manifest. Ishte Orban, ai që e nxiti Europën të forcojë sigurinë në kufijtë e saj gjatë emigrimit të madh në rrugë tokësore të qindra mijëra njerëzve, nga Siria e shkatërruar nga lufta në vitin 2015.
Nga një piceri në Milano, Orban e veçoi Salvinin si “heroin tim dhe shokun tim të fatit”. Dhe ai e veçoi Makronin si armikun e tij. “Në Europë ka dy kampe, dhe njëri drejtohet nga Makron. Ai është në krye të forcave politike që mbështesin imigracionin. Nga ana tjetër, ne duam të ndalojmë imigracionin e paligjshëm”- tha Orban.
Orban ka të drejtë. Nacionalizmi i Salvinit dhe globalizmi i Makron, janë dy vizionet konkurruese të së ardhmes së Europës. Një vit më parë, u duk se presidenti i sapozgjedhur francez, mund të trashëgonte mantelin e Angela Merkelit si unifikuese e Evropës. Ai do që t’i japë një frymë të re një Bashkimi Europian, të demoralizuar nga largimi i Britanisë.
Dukej e mundshme që episodet dramatike të Donald Trump mbi këtë problematikë, mund ta diskreditojnë krejtësisht kauzën e kontrollit të emigracionit në Europë. Por votuesit nuk ia kanë falur udhëheqësve të tyre, mënyrën se si menaxhuan fluksin e emigrantëve në vitin 2015. Qeveritë që mbrojnë me forcë kufirin, janë ngjitur në pushtet në Itali, Austri dhe Republikën Çeke, dhe ish-strategu i Trump, Stiv Benon po punon tani për të nxitur bashkëpunimin midis lëvizjeve nacionaliste, përfshirë Salvinin, në prag të zgjedhjeve për në Parlamentin Europian majin e ardhshëm.
Parlamenti i BE-së, është bërë një shtëpi e ngrohtë për euro-skeptikët, dhe Salvini parashikon një dominim të tyre në Bruksel. Dhe cilët mund të mbledhë Makron kundër tyre? Madje edhe e majta europiane, po dëshmon shenja të vënies në pikëpyetje të angazhimit të saj ndaj kufijve të hapur.
Në Gjermani, marksistja Sara Vagenneht e Partisë së Majtë ka filluar ngritjen e “Aufstehen”, një front popullor që synon të mbështesë votuesit e klasës punëtore, të lënë pas dore nga dogmat globaliste, duke përfshirë emigrimine lirë dhe të lehtë. Socialdemokratët në Danimarkë, janë tubuar pas një plani të ashpër, për t’i imponuar emigrantëve gjuhën dhe vlerat daneze. Homologët e tyre në Suedi, të cilët pranuan çerek milionë emigrantë gjatë dy vjetëve që pasuan 2015-ën, kanë shtërnguar politikat e azilit, në prag të zgjedhjeve mbarëkombëtare të kësaj fundjave.
Salvini është duke marrë pikë. Qeveria e koalicionit që Lidhja e tij formoi me Lëvizjen Pesë Yjet, ka fituar besnikërinë e më shumë se gjysmës së italianëve, duke dyfishuar mbështetjen e Lidhjes nga 17 në 32 për qind që nga pranvera e këtij viti, dhe duke e shndërruar kësisoj atë në partinë më popullore të Italisë.
Ndërkohë Makron, ka pasur një verë të keqe. Telashet filluan me një skandal që përfshiu truprojen e tij 26-vjeçar, Aleksandër Benala, i cili duket se preferonte shpesh të dhunontefizikisht njerëzit që nuk ishin dakord me shefin e tij. Në një protestë të mujit maj, Benala u xhirua me celular, me një skafandër polici në kokë (edhe pse nuk është polic), duke tërhequr zvarrë një protestuese në Place de la Contrescarpe.
Vera e Makron, përfundoi me dorëheqjen dramatike të ministrit karizmatik të Mjedisit, Nikolas Hulo, i cili shpjegoi:”Nuk dua të gënjej më veten!”. Popullariteti i Makron, ka rënë ndjeshëm në më shumë se një vit, dhe tani është vetëm 34 për qind. “Kundërshtari kryesor i Makron”- tha Salvini, “është populli francez”.
Salvini është i aftë në përdorimin e gjuhës. Ai ka arritur të ri-etiketojë humanizmin, duke i dhënë atij një përmasë kriminale. Ai i përshkruan organizatat joqeveritare që shpëtojnë emigrantët në det të hapur, si të lidhur me të njëjtën “biznes” me mafiozët që i orientojnë refugjatët në tokë. “Emigrantët nuk do ta shohin Italinë, përveçse në ndonjë kartolinë”- premton ai.
Salvini është përballur më kënaqësi edhe me miliarderin Xhorxh Soros, duke e akuzuar atë për përdorimin e bamirësisë së tij “për të mbushur Italinë dhe Europën me emigrantë”. Sulmi ndaj miliarderit amerikan të lindur në Hungari, është një garniturë retorike që Orban e ka dëshiruar prej kohësh – por ai që dukej një problem i vogël i kufizuar në Hungari, ka një rezonancë më të madhe kur hyn në politikën e njërit prej shteteve themeluese të BE-së.
Ankesat amerikane për “ndërhyrjen” e vendeve të tjera në sistemin zgjedhor të SHBA-së, ftojnë shqyrtimin e situatës nga shumë fondacione të drejtuara nga Soros, aktiviteti politik i të cilave jashtë vendit është i subvencionuar (nëpërmjet zbritjes së tatimit) nga qeveria amerikane.
Synimi i Salvinit, është ta ekspozojë Makronin si një politikan që favorizon emigracionin e pa kontrolluar. Asnjë udhëheqës europian, nuk ka luksin të shihet si një politikan i dobët, përballë atyre që mbështesin politikat e vijës së ashpër.
Për shembull, kryeministri danez Lars Loke Rasmusen, sugjeroi kohët e fundit që Europa të sulmojë “shkaqet’ e emigracionit. Por kjo nuk do të funksionojë. Shkaku i valës aktuale të emigracionit trans-Mesdhetar nuk është varfëria, apo ndonjë gjë që është brenda fuqisë së BE-së për ta zgjidhur.
Në analizë të fundit, është rritja e popullsisë. Popullsia e Afrikës, gati është trefishuar që nga viti 1980, dhe do të dyfishohet sërish midis viteve 2050. Ndërkohë që popullsia e Europës rrudhet dhe zvogëlohet për gjeneratën e ardhshme, kontinentit në jug të saj do t’i shtohen 1.25 miliardë njerëz të rinj.
Tashmë ka miliona emigrantë potencialë të grumbulluar në portet e Tripolit, Tunizit dhe Stambollit, të gatshëm të shkojnë në vendin e parë që ofron një shenjë të mikëpritjes, ai ajo që liderët europianë dhanë më 2015. Se si europianët do të reagojnë ndaj këtij shpërthimi demografik, kjo do të varet nga ajo nëse e shohin atë si prurje më të madhe të duarve për të ndihmuar, apo gojëve për të ushqyer.
Salvini ka piketuar një sërë argumentesh nacionaliste, që fitojnë pike nëpër sondazhe. Por institucionet e ekonomisë globale mbeten të fuqishme dhe bindëse, dhe Makron flet në emër
të tyre në një mënyrë më të freskët, se sa është e mundur të bëhet në SHBA, Britani apo në çdo vend, ku axhenda e de-regulimit neoliberal ka mbretëruar që nga vitet 1980. Pas 8 muajsh, zgjedhjet parlamentare të BE-së, do të na tregojnë se cilin prej këtyre dy shtigjeve, do të jenë të prirur të ndjekin europianët.
Burimi: The Spectator Në shqip nga bota.al