Mali i Zi, protesta masive për plagosjen e gazetares

Disa qindra qytetarë protestuan të mërkurën para ndërtesës së Qeverisë së Malit të Zi, ndaj sulmit mbi gazetaren e gazetës së pavarur “Vijesti”, Olivera Lakiç, e cila të martën në mbrëmje para shtëpisë së saj u plagos në këmbë nga disa persona të panjohur. Përveç kolegëve të redaksisë protestuan edhe një numër i madh i përfaqësuesve të partive opozitare dhe veprimtarë joqeveritar që mbanin parulla “Ndal dhunën”, “Situata është e jashtëzakonshme”, “Për jetën pa frikë” etj. Drejtori i “Vijestit”, Zhelko Ivanoviç, kritikoi autoritetet malazeze për gjendjen e krijuar në vend. “Unë mendoj se kjo shoqëri po fundoset në një humnerë dhe nuk ka shpresa për diçka pozitive, posaçërisht pas ripërsëritjes së sulmit ndaj gazetares Lakiç”-tha Ivanoviç. Sulmi nxiti reagime në shkallë të gjerë. Departamenti amerikan i shtetit shprehu shqetësimin e thellë ndaj sulmit mbi gazetaren Lakiç. “Ne jemi të shqetësuar nga ky sulm mbi gazetaren Olivera Lakiç. Gazetarëve duhet tu mundësohet puna e pavarur dhe në një mjedis të sigurt në mënyrë që të ruhet shoqëria e hapur dhe demokratike”.

Në reagim theksohet se Departamenti i Shtetit do të ndjekë nga afër zhvillime rreth këtij krimi dhe kërkon “hetim të menjëhershëm në mënyrë që përgjegjësit të sillen para drejtësisë”. Përfaqësuesi për lirinë e medies i Organiztës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Harlem Desir vizitoi të mërkurën në mbrëmje gazetaren Olivera Lakiç dhe vuri në dukje se sulmi i fundit duhet të ndriçohet sa më shpejtë dhe autorët të vihen para drejtësisë. Edhe Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Mevludin Nuhoxhiç vizitoi gazetaren dhe me këtë rast tha se policia ka angazhuar të gjitha kapacitetet për të zbuluar motivin e këtij akti të urryer dhe frikacak. “Të dhënat operative dhe të gjitha filmimet po kontrollohen dhe së shpejti mund të themi se presim të arrijmë rezultate,” tha Nuhoxhiç. Gjatë ditës ministri Nuhoxhiç së bashku me ministrin e Drejtësisë, Zoran Pazhin vizituan redaksinë e gazetës dhe biseduan me përfaqësuesit e saj. Në këtë takim ata theksuan se “qeveria dhe të gjithë anëtarët e saj dënojnë atë që ka ndodhur.

Ky është një sulm ndaj jetës njerëzore dhe ndaj lirisë së medias “, thanë ata. Gazetarja e gazetës së pavarur “Vijesti”, OliveraLakiç u plagos të martën mbrëma para banesës së saj në Podgoricë, në momentin kur po kthehej nga puna. Gazetarja Lakic është jashtë rrezikut për jetën. Sipas njoftimit të policisë malazeze, ajo u plagos në këmbë dhe disa orë qëndroi në Qendrën Klinike të Malit të Zi. Burimet e policisë, jo zyrtarisht bëjnë të ditur se ka mundësi që në këtë akt dhune kanë qenë të përfshirë tre sulmues. Gazetarja e Vijestit është sulmuar edhe më parë para banesës së saj. Gjashtë vjet më parë gazetaren e sulmoi Ivan Bushkoviç, i cili qe dënuar me 9 muaj heqje lirie. Zonja Lakiç ishte kërcënuar edhe më parë dhe për këtë arsye dy vjet e shtatë muaj ajo ishte nën mbrojtjen e policisë, të cilën më vonë e anuloi.

SHKARKO APP