Maqedonasit duhet të pranojnë emrin e ri ose të përballen me “izolim”
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev tha se qytetarët duhet të pranojnë emrin e ri të shtetit, ose do të përballen me destabilitet dhe izolim. Në një intervistë për agjencinë “AFP”, Zaev kërkoi nga maqedonasit të votojnë pozitivisht në referendumin që do të vendosë për riemërimin e vendit, me emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Referendumi do të mbahet më 30 shtator, si rezultat i marrëveshjes së arritur mes Maqedonisë dhe Greqisë për t’i dhënë fund çështjes së emrit pas shumë dekadave. Çështja e emrit mes Shkupit dhe Athinës daton që nga viti 1991, kur Maqedonia u nda nga Jugosllavia dhe deklaroi pavarësinë nën emrin Republika e Maqedonisë.
Greqia nuk është pajtuar me emrin Maqedoni, për shkak se – sipas tyre, – përfshin territorin e veriut të Greqisë me të njëjtin emër. Për shkak të kundërshtimeve greke, Maqedonia është pranuar në Kombet e Bashkuara me një emër të përkohshëm ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Greqia, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Europian kishte deklaruar se mund të ketë veto në rast të planit për anëtarësim të Maqedonisë në këto dy organizata.