Maqedoni. 746 vjet burg për grupin e Kumanovës
Gjykata themelore e Shkupit ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për luftimet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015.
Për veprën terrorizëm ishin akuzuar gjithsej 37 persona, prej të cilëve 7 me burg të përjetshëm: Andi Krasniqi, Dem Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajra dhe Fejzulla Rushitovski.
Trembëdhjetë janë dënuar me nga 40 vjet burg, 6 me nga 20 vjet burg, kurse të tjerët me nga 18 e më poshtë. Katër persona janë liruar si të pafajshëm.
Shumica e të dënuarve janë shtetas të Kosovës, të cilët edhe llogariten si organizatorë të ngjarjve tragjike në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
Në luftimet dyditëshe janë vrarë 10 pjesëtarë të forcave policore dhe 8 pjesëtarë të grupit të armatosur.
Grupi kishte deklaruar se vendosja e tij në Kumanovë ishte bërë për shkak të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.
Pala mbrojtëse deklaroi se procesi ka qenë i montuar nga shërbime sekrete që kishin për qëllim shpërqendrimin e vëmendjes nga kriza politike në Maqedoni, e nxitur nga afera e përgjimeve.