Maqedoni/Deklaroi origjinën shqiptare, rrihet para banesës profesori Branko Sinadinovski
Disa persona kanë sulmuar në mënyrë brutale Branko Sinadinovski, themeluesin e Bashkësisë Fetare të Shqiptarëve Ortodoksë në Maqedoni, i cili ka përfunduar me fraktura në spital.
Mediat lokale bëjnë me dije se Sinadinoivski është goditur fizikisht nga dy persona të panjohur. Sulmi ka ndodhur afër banesës së tij në “Aerodrom” të Shkupit.
Sinadinovoski është pedagog në Universitet dhe është bërë i njohur për shkak se ka deklaruar prejadhjen e tij nga ortodoksia shqiptare.
Sinadinovski është me prejardhje nga Beliçica e Rekës së Epërme nga rajoni i Mavrovës në Maqedoni.
“Unë nuk do të ndalem në misionin tim kombëtar. Ky është një mision që kërkon sakrificë, përkushtim dhe rrezik. Unë kam qenë i vetëdijshëm për këto pasoja, por nuk ndalemi në qëllimin tonë. Bashkësia fetare e shqiptarëve ortodoks në Maqedoni është një realitet dhe shprehje e lirisë fetare dhe kombëtare. Është e drejtë hyjnore që nuk duhet ti pengojë askujt, por ja që jetojmë në një ambient të tillë të ndotur me elemente raciste dhe gjenocidale.
Apeloj për përkrahje nga diaspora dhe ky apel është që të ngrisim Kishën ortodokse shqiptare në Shkup, sepse kjo do të jetë një simbol i rëndësishëm historik kombëtar. Deri tani nuk ka pasur asnjë përkrahje për këtë qëllim që kërkon përkrahje dhe fonde. Pra gjithsesi ne vazhdojmë, përkundër këtyre skenareve që synojmë eliminimin tim fizik dhe eliminimin e këtij misioni që e përmenda më lartë.”, shprehej para pak kohësh Sinadinovski në një intervistë për “Ina”.
Autoritetet maqedonase bëjnë me dije se kanë nisur hetimet për të zbardhur sulmin ndaj profesorit.