Maqedoni – Deputetët afat deri në mesnatë për të votuar qeverinë e re
Kuvendi i Maqedonisë pritet të zhvillojë ditën e sotme seancën e tretë dhe të fundit ku deputetët e parlamentit do të shprehin me votë qëndrimin e tyre në lidhje me kabinetin që është propozuar nga kreu i social-demokratëve, Zoran Zaev.
Në bazë të afateve kushtetuese, afati i fundit për tëvotuar qeverinë është mesnata e sotme. Për t’u miratuar, kabineti i Zoran Zaev duhet të marrë votën pro nga të paktën 61 deputetë. Koalicioni i formuar mes LSDM-së, BDI-së dhe Lëvizjes për Shqiptarët ka në total 62 deputetë, por pritet të shihet se sa përfaqësues do t’a mbështesin krijimin e kabitentit.
Një ditë më parë Parlamenti u karakterizua nga debatet e ashpra mes palëve. Shkaku fillestar ishte përdorimi i gjuhës shqipe nga Kryeparlamentari, Talat Xhaferri, veprim që u prit me kudnërshtime nga deputetët e VMRO-DPMNE. Përfaqësuesit e konservatorëve u shprehën se përdorimi i gjuhës shqipe përbën një veprim anti-kushtetues, por nga ana tjetër, Xhaferi nënvizoi se kjo është një e drejtë që s’mund t’ia cënojë askush.
Ndërkohë, në fjalën e tij ditën e djeshme, Zoran Zaev paraqiti platformën e tij për kabinetin e ardhshëm qeverisës duke rradhtur si prioritete integrimin e mëtejshëm në strukturat ndërkombëtare, rritjen e ekonomisë si dhe pastrimin e sistemit të drejtësisë.