Maqedoni e Veriut, regjistrohet viktima e katërt e fruthit
Një foshnjë 10 muaj e gjysmë nga Shkupi është viktima e katërt nga fruthi. Foshnja nuk ka qenë e vaksinuar me vaksinën kundër fruthit ndërkaq pos fruthit nuk ka pasur ndonjë sëmundje tjetër. Viktima ka ndërruar jetë gjatë orëve të pasdites së djeshme në Klinikën e Fëmijëve në Shkup, pas qëndrimit dy javor në hospitalizim. Për momentin edhe 6 persona të tjerë me fruth shumica fëmijë deri në 4 vjeç janë në gjendje të rëndë, të cilët po qëndrojnë në hospitalizim ndërkaq më kritike paraqitet gjendja e një fëmije me paralizë celebrale e cila është nën kujdesin intenziv.
“Ka pasur pneumoni të rëndë, gjakderdhje në tru. Atë që dua të potencoj është se fruthi është një sëmundje tepër serioze e cila sjell më shumë sëmundje sistemore. Nuk është sëmundje e lehtë, mund t’i sulmojë të gjithë sistemet organike, edhe sistemin e frymëmarrjes edhe sistemin qendror nervor dhe për fat të keq mund të sjell edhe kësi pasqyre të rëndë klinike dhe përskaj përkujdesjes së madhe, mund të përfundoj me vdekje”, u shpreh Vladimir Mikiq, Instituti i Shëndetit Publik. Gjatë javës së kaluar janë regjistruar 113 raste të reja me fruth. 46 prej 110 rasteve të konfirmuara me fruth janë regjistruar në Shkup ndërsa 64 rastet tjera jashtë Shkupit. Për tre pacientë tjerë priten rezultatet e analizave. Ndërkohë mbetet ende i lartë numri i fëmijëve të pa vaksinuar. Autoritetet thonë se shqetësues mbetet gjendje jashtë Shkupit.
“Gjithsej duhet të vaksinohen edhe 19,926 fëmijë nga të cilët në Shkup janë 2,900, ndërsa 16,000 të tjerët janë jashtë Shkupit. Që nga fillimi i vaksinimit në terren e deri më tash janë vaksinuar gjithsej 22,930 fëmijë. Numri më i madh i tyre apo 13,000 fëmijë janë të moshave parashkollore jashtë Shkupit”, deklaroi Vladimir Mikiq, Instituti i Shëndetit Publik.
Për tu arritur imuniteti kolektiv, duhet që mbi 95% e popullsisë të jetë e vaksinuar. Vaksinimi nëpër shkolla vazhdon të zhvillohet, mirëpo autoritete mbeten të pakënaqur me fluksin e nxënësve të cilët po vaksinohen. Me vendim të Qeverisë nuk do të mund të regjistrohen në çerdhe dhe në klasë të parë fëmijët e pa vaksinuar me vaksinën MRP.