Maqedoni – Gruevski nuk jep asnjë detaj për negociatat
Dy ditë para përfundimit të mandatit të Nikolla Gruevskit për formimin e Qeverisë së re, partitë politike, të paktën zyrtarisht nuk njoftojnë për ndonjë lëvizje konkrete në këtë drejtim.
Përfaqësues të VMRO-DPMNE-së disa ditë me radhë japin të njëjtin qëndrim, se kreu i tyre ka autorizim të plotë për të vazhduar negociatat, por nuk japin detaje për takimet dhe pikat rreth të cilave po zhvillohen bisedimet.
Ndërkoha, LSDM-ja as nuk demanton dhe as nuk konfirmon zërat e fundit se Ahmeti ka vendosur komunikim edhe me Zaevin dhe se gjatë këtyre ditëve pritet një takim i ri mes tyre.
Nënkryetari i kësaj parti Damjan Mançevski pret që mandati për formimin e Qeverisë të kalojë në duar të kësaj partie nëse Gruevski nuk arrinë të sigurojë shumicën e nevojshme.
Sa i takon kërkesave të partive shqiptare, Mançevski thotë se ata janë pjesërisht kompatibile me platformën e LSDM-së kurse e përbashkët është zbatimi i një koncepti të ri për qytetarët.
“Atë duhet ta komentojnë ata që marrin pjesë në negociata. Ne e presim mandatin për formimin e Qeverisë. Në Maqedoni ka ardhur koha për zbatimin e një koncepti të ri për jetë më të mirë të qytetarëve. Nuk bëhet fjalë vetëm për platformën e këtyre tre partive por edhe ne kemi platformën tonë të cilën kur të vijë koha do t’ja prezantojmë edhe opinionit por edhe partnerëve potencial të koalicionit” – deklaroi Damjan Mançevski, nënkryetar i LSDM-së.
Nga partia e Ahmetit, zyrtarisht njoftojnë se edhe për ditën e sotme, nuk janë paraparë aktivitete apo negociata rreth qeverisë së re.
Nënkryetari i kësaj partie Nevzat Bejta, ka shprehur hapur qëndrimin e tij kundër një koalicionimi me VMRO-DPMNE-në.
Një qëndrim të tillë, flitet se ndajnë edhe nënkryetarët tjerë të partisë Teuta Arifi, Izet Mexhiti dhe Sadulla Duraku kurse një pjesë e kryesisë së partisë, janë shprehur për respektimin e parimit të pashkruar “ftuesi me fituesin”.Çështja për postet ministrore dhe për Kreun e Kuvendit, nuk është përmendur aspak nga partitë.
Për formimin e qeverisë së re, mandatari Gruevski deri të dielën përvec votave të nevojshme në Kuvend duhet të përgatisë programin e plotë për katër vitet e ardhshme si dhe përbërjen e kabinetit të ri.
Kushtetuta e R.M., Neni 90
“Mandatari në afat prej 20 ditësh nga dita e dhënies së mandatit, Kuvendit i dorëzon program dhe e propozon përbërjes e Qeverisë. Qeverinë, sipas propozimit të mandatarit dhe në bazë të programit, e miraton Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.”
Pavarësisht interesit të madh rreth negociatave për formimin e qeverisë së re, qytetarët mbetet të përjashtuar nga ky proces dhe nuk dijnë kush do të drejtojë qeverinë në katër vitete e ardhshme.-Alsat.M