Maqedoni: Kriza qeveritare me pasoja edhe në pushtetin lokal
Pushteti lokal në Maqedoni mund të përjetojë fatin e qeverisë nëse së shpejti nuk arrihet marrëveshje për ndryshime ligjore me qëllim vazhdimin e mandatit të kryetarëve të komunave që i skadon më 15 maj.
Zgjedhjet ishin paraparë të mbahen këtë muaj por për shkak të bllokimit të punës së Kuvendit dhe mosformimit të qeverisë, ato nuk janë shpallur në afatin e paraparë ndërsa deri në përfundimin e mandatit të kryetarëve të komunave ka mbetur më pak se një muaj.
Qeveria teknike javën e kaluar ka formuar një grup pune për të propozuar zgjidhje për vazhdimin e mandatit deri në mbajtjen e zgjedhjeve, në të kundërtën rrezikon bllokimi edhe i pushtetit lokal, që nënkupton bllokim të pagave në arsimin fillor, në çerdhe, të punonjësve lokal si dhe të institucioneve tjera që janë nën kujdesin financiar të komunave.
Gjithashtu, do të bllokoheshin edhe investimet apo transaksionet financiare, që sipas ekspertëve të ekonomisë do të dëmtonin seriozisht pushtetin lokal.
Koce Trajanovski, kryetar i Shkupit, si njësi e veçantë e vet-administrimit lokal dhe kryetar i bashkësisë së komunave të Maqedonisë nuk jep detaje se çfarë do të propozojë grupi i formuar për fatin e komunave.
“Derisa grupi të mos del me një propozim konkret mendoj se ne vetëm se mund të parashikojmë, pra nuk mund të them asgjë pasi presim që grupi i punës të del me një nismë konkrete për të kapërcyer gjendjen në të cilën jemi futur”, ka deklaruar Trajananovski.
Ndryshe nga ai, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta është optimist se mund të ketë zgjidhje.
“Besoj se do të gjejmë një zgjidhje që të mos pësojnë qytetarët. Këtë nuk e bëjmë për interesa personale apo për kryetarët të komunave, por këtë e bëjmë për interesa të përgjithshme të banorëve nëpër komuna. Nëse nuk gjejmë zgjidhje atëherë do të vijmë deri te bllokimi i të gjitha komunave në nivel shtetëror”, thotë Nevzat Bejta kryetar, i komunës së Gostivarit dhe nënkryetar i Bashkësisë së Komunave të Maqedonisë.
Ai beson se shumë shpejt ekspertët do të gjejnë zbrastësira juridike për të vazhduar mandatin e kryetarëve të komunave deri në shpalljen e zgjedhjeve nga Kuvendi i Maqedonisë.
Njohësit e rregullativës ligjore parlamentare thonë se formimi i grupeve të punës është i mirëseardhur për të treguar të paktën se dikush interesohet për funksionimin e pushtetit lokal.
Aleksandar Novakovski, ish sekretar i përgjithshëm i Kuvendit, thotë se grupi i punës mund të dalë me propozime, por pa dakordimin për miratimin e tyre në Kuvend të gjitha përpjekjet do të jenë të kota.
Në rastin konkret, apo duke marrë parasysh qëndrimet e partive, Novakovski thotë se do të ketë vështirësi të caktohet një seancë krejtësisht e re për të vendosur mbi ndryshimet në ligjin për zgjedhjet lokale.
“Unë për momentin nuk shoh rrugëdalje nga kjo situatë në të cilën ndodhet Kuvendi. Ne dëshmuam se nuk kemi kapacitet për të kapërcyer dallimet në rrugë institucionale. Bllokimi i punës së Kuvendit do të zgjasë dhe me këtë do të vihet në pikëpyetje funksioni i gjithë pushtetit lokal dhe me këtë edhe i kërkesave më elementare të qytetarëve jo vetëm në nivelin qendror, por tani edhe në atë lokal”, thotë Novakovski.
Pavarësisht bllokimit të zgjedhjeve, disa nga partitë politike kanë nisur me përzgjedhjen e kandidatëve të mundshëm për kryetar të komunave.
Njohësit e çështjeve politike nuk e përjashtojnë mundësinë që zgjedhjet të shtyhen deri në vjeshtë, e nëse kjo ndodhë, atëherë mundet që ato të mbahen me zgjedhjet e përgjithshme që shihen si mundësi për dalje nga kriza nëse presidenti Ivanov dhe VMRO-ja vazhdojnë me ngulm të pengojnë LSDM-në dhe dy partitë shqiptare që të formojnë qeverinë e re.