Maqedoni, ligji për gjuhët sërish në kuvend me 29 Janar

Më 29 janar, ligji për përdorimin e gjuhëve do të kthehet për leximin e tretë në Kuvendin e Maqedonisë. Opozitarët e VMRO-DPMNE pritet të mos jenë sërish pjesëmarrës në këtë seancë parlamentare, ndërkohë që drafti do të duhet të marrë votat e 61 deputetëve për t’u miratuar e më pas për t’u dërguar për rekomandime në Komisionin e Venecias.

Ligji për përdorimin e gjuhëve do të rikthehet në Kuvendin e Maqedonisë më 29 janar, për leximin e tretë. Seanca plenare u caktua pas një koordinimi mes kryeparlamentarit Talat Xhaferi dhe grupeve parlamentare, por në mungesë të deputetëve nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.

Propozimi rikthehet kështu në Kuvend pas mosdekretimit nga presidenti Gjorge Ivanov, i cili arsyetoi se ligji cënonte Kushtetutën dhe karakterin unitar të Maqedonisë. Në këtë rrjedhë logjike, VMRO-DPMNE ka kërkuar krijimin e grupeve të posaçme të punës, ku do të përfshihen edhe ekspertë, për të vërtetuar nevojën për miratimin e këtij ligji dhe sipas tyre, heqjen e elementeve jo-kushtetuese që drafti përmban.

Kujtojmë se ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua më 11 janar dhe 6 ditë më vonë, ai nuk u nënshkrua nga presidenti Ivanov.

Në seancën e 29 janarit, ligji do të ketë nevojë për 61 vota për t’u rimiratuar e më pas për të nisur procedura e dërgimit për rekomandime në Komisionin e Venecias.

SHKARKO APP