Maqedoni, mblidhet Kongresi i 22-të i LSDM, zgjedhin kryetar Zoran Zaevin

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë e mbajti të shtunën Kongresin e 22-të ku zgjodhi kryetarin dhe organet e tjera drejtuese të partisë.

Zoran Zaev si kandidat i vetëm për kryetar u rizgjodh në krye të partisë. Nga 700 delegatë votuan 643, prej të cilëve 597 ia dhanë votën zotit Zaev për ta drejtuar partinë në katër vitet e ardhshme. Radmilla Sheqerinska u rizgjodh në postin e zëvendës-kryetarit.

Zoran Zaev, i cili është dhe i mandatuar për kryeministër, tha se do t’u jepet fund ndasive dhe se partia do t’u përkushtohet reformave rrënjësore.

“Mjaft më me revanshizma që na kthejnë prapa. Vetëm një shoqëri jo e politizuar çon drejt një zhvillimi ekonomik”, theksoi ai.

Në Kongres morën pjesë edhe zyrtarë të partive simotra evropiane, si dhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim, nga Lëvizja Besa, Aleanca për Shqiptarët dhe nga parti të tjera më të vogla të koalicionit zgjedhor me Lidhjen Social Demokrate.

Lidhja Social Demokrate pritet që javën që vjen ta formojë qeverinë e re. Ndërkaq, ende nuk është e qartë nëse “Lëvizja Besa” do të jetë pjesë e koalicionit qeveritar, apo vetëm do ta votojë përbërjen e kabinetit të ri të drejtuar zoti Zaev.

SHKARKO APP