Maqedoni, “ofensivë” për zgjidhjen e çështjes së emrit

Nga qeveria e Maqedonisë kanë konfirmuar se ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit Methju Nimië do të qëndrojë në Shkup në fund të nëntorit në përpjekje të intensifikimit të bisedimeve mes përfaqësuesve Maqedonisë dhe Greqisë.

Qëllimi kryesor mbetet që të dy vendet të arrijnë marrëveshje dhe të tërhiqet vetoja greke rreth anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, në Samitin e Aleancës në korrik të vitit të ardhshëm. Zgjidhja e çështjes të kontestit me emrin është deri tani në nivelin më të lartë dhe më afër gjetjes së zgjidhjes vlerëson përfaqësuesi i lartë i Departamentit të Shtetit Hojt Brajan Ji.

“Ka edhe shumë punë që të mbarohen nga të dyja palët. Do të ketë negociata dhe unë jam optimist se do të  ketë zgjidhje sepse disponimi  edhe në Greqi edhe në Maqedoni është në nivelin më të lartë që ka qenë ndonjëherë deri tani”, është shpreh Hojt Brajan Ji.

Disa ditë më parë ministri i punëve të jashtme i Greqisë Nikos Kozias doli me deklaratë se viti 2018 do të jetë viti në të cilin pritet të zgjidhet çështja e emrit.

Zaev: Ta zgjidhim problemin që është frenues i eurointegrimeve

Kryeministri Zoran Zaev thotë se Maqedonia duhet patjetër të jetë e përgatitur për një hap para për emrin, duke vlerësuar se tani ka gjasa më të mëdha për dallim nga më herët që të gjendet zgjidhje me Greqinë.

“Pres që deri në fund të këtij muaji të fillojnë të lëvizin gjërat, të paktën mes negociuesve me Nimicin. Maqedonia patjetër duhet të jetë  e gatshme për të bërë hapa që përfundimisht ta zgjidhi këtë çështje”, ka thënë Zaev. Ai shpreson se edhe opozita do të jetë e inkuadruar në zgjidhjen e kontestit të emrit,e jo për pengesa dhe bllokime të reja, jo për shtyrje të reja, por në funksion të bëhet gjithçka që të gjejmë zgjidhje për këtë problem të nxehtë, frenues i Maqedonisë dhe proceseve integruese.

Partitë politike shqiptare pro zgjidhjes së kontestit të emrit

Partitë shqiptare në Maqedoni do të kishin përkrahur çdo veprim që do të çonte deri tek zhbllokimi i kontestit të emrit me Greqinë, sepse kjo do të hapte rrugën e integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë. Zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi thotë se kjo parti është e gatshme që ta japë kontributin e saj për zgjidhjen e këtij konteksti.

“BDI është e përcaktuar për debllokim të situatës aktuale dhe për anëtarësim sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO. BDI është pro proceseve euroatlantike. Ne jemi të gatshëm që ta japim kontributin tonë që Maqedonia të anëtarësohet në strukturat evropiane”, vlerson Arbër Ademi.

Edhe Aleanca për Shqiptarët do ta përkrahë konceptin e konsensusit apo referendumit për zgjidhjen e çështjes së emrit. “Gjithsesi jemi të interesuar për zgjidhjen e çështjes së emri kjo do të thotë se do ta përkrahim këtë proces”, thotë Flakron Bexheti nga Aleaca për Shqiptarët.

Ndërsa Lëvizja Besa synon që emri i shtetit të jetë mbietnik dhe të mos ketë lidhje specifike me asnjë etni në Maqedoni. “Konform ridefinimit do të donim që emri i shtetit të jetë mbietnik dhe të mos ketë lidhje specifike me asnjë etni në Maqedoni. Me fjalë të tjera, në këtë mënyrë do të vihej në praktikë edhe modeli aq shumë i promovuar qytetar”, shprehet zëdhënësi i Lëvizjes BESA Faton Fazliu.

Maqedonia duhet ta shfrytëzoj rastin

Ligjëruesi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në universitetin e Shkupit, Denko Malevski vlerëson se Maqedonia ndodhet në një situatë shumë të volitshme për të zgjidhur kontestin e emrit e me këtë të zhbllokojë edhe procesin e anëtarësimit në strukturat euroatlantike.

“Situata aktuale në aspektin ndërkombëtarë është shumë e volitshme për Maqedoninë. Në këtë moment e kemi Qeverinë e Greqisë e cila i është ekspozuar presionit të aleteve të saj ndërkombëtarë që janë në konfrontim me aspiratat e Rusisë në Ballkan, dhe për këtë, ajo është e detyruar të realizoj negociata më serioze me Maqedoninë”, thotë Denko Malevski.

Mersel Billalli ligjërues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare thotë se Rusia do të tentojë të bëj presion në aspektin diplomatik, po edhe atë ekonomik ndaj Maqedonisë për mos zgjidhjen e kontestit të emrit. “Ky presion i Rusisë ndaj Maqedonisë mund të reflektohet përmes ftohjes së marrëdhënieve diplomatike, po jo edhe të ashpërsimit të këtyre raporteve që do të çonin në tërheqjen e ambasadorit rus nga Maqedonia. Megjithatë besoj se në pranverën e ardhshme, Maqedonia do të jetë pjesë e NATO-s”, vlerëson profesori universitar Mersel Bilalli.

SHKARKO APP