Maqedoni, riformatohet qeveria e Zoran Zaevit
Kabineti qeveritar maqedonas u riformatua pak para mesnatës. Katër vende ministrash dhe po aq zëvendësministra ndryshuan në ekzekutivin e Zoran Zaevit. Koalicioni qeveritar zgjerohet me njërin krah të Lëvizjes “Besa”, me Partinë Demokratike Shqiptare dhe Lidhjen e Romëve.
Asaf Ademi i Lëvizjes “Besa”, krahu i Shkupit, siç njihet në opinionin publik, do të drejtojë Ministrinë e Kulturës; Bardhyl Dauti i PDSH-së është ministër i ri pa portofol, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lidhja Social-Demokrate shkëmbejnë postet e ministrave të Drejtësisë dhe të Arsimit.
Kryeministri Zaev, gjatë prezantimit të ndryshimeve në Parlament, duke folur për nevojën e tyre tha se: ”Kriza politike po lihet pas, duke hapur procese serioze reformash për ta kthyer besimin tek institucionet dhe ambienti demokratik”.
VMRO-ja e quan këtë si “riformatim pazaresh”, pa përmbajte dhe mesazhe politike.