Maqedonia: 70% e projektit të Shqipëisë së Madhe është realizuar
Dipomati maqedonas Risto Nikovski ka theksuar se me pavarësinë e Kosovës, 70% e projektit të Shqipëisë së Madhe është realizuar, e gjithë kjo falë ndihmës së SHBA-ve.
“Para dhjetëra vitesh apo më shumë, pavarësia e Kosovës ishte e paparamendueshme. Ndodhi, edhe atë me bombardim të Serbisë dhe të Beogradit, që e bëri NATO-ja nën udhëheqje të Amerikës dhe de fakto, me mëvetësinë e Kosovës, i ashtuquajturi ‘projekti i madh shqiptar’ së paku 70% u realizua. Ju si shqiptarë mund të jeni të kënaqur me këtë. Keni partner pas jush, që ju shtyn përpara dhe tash, sërish me ndikim të drejtpërdrejtë amerikan, edhe në Maqedoni, në vitin 2001, ka dëshmi të mira për këtë, po bëhet një shqiptarizim i shtetit, me qëllim që të vihet në njëfarë federalizimi dhe ky është një hap i madh drejt bërjes së Shqipërisë së Madhe, meqë se a ka kufij formalë midis Shqipërisë e Kosovës nuk është relevante aspak”, deklaroi Nikovski në një intervistë.
Ai tha më tej se nëse shqiptarët në Maqedoni punojnë në ndarjen e këtij shteti, atëherë mund të krijohen kushte shumë të këqija drejt konfrontimesh të reja, që nuk do të jenë as në interes të shqiptarëve, as të maqedonasve.
“Siç thashë edhe pak më parë, interesi i të gjithë qytetarëve në këtë shtet është të jetë situata ashtu siç është, bashkëjetesë midis dy etnikumeve dhe kjo është zgjidhja më e mirë për të gjithë, të mos shkohet me asfarë formash të reja shpërbërëse të këtij shteti, sepse pasojat mund të jenë katastrofale për të gjithë ne”, tha Nikovski.
Nuk është në interes të shqiptarëve, sipas tij, por as maqedonasve e as të asnjë qytetari të këtij shteti, që Maqedonia të shpërbëhet. E kjo, për arsye se, kështu si është Maqedonia, mund të jetë vend i bukur për të gjithë.
“Nëse shkojmë me konfrontime, ndarje të territoreve e federalizim, më duket se do të jetë keq për të gjithë”, deklaroi gjithashtu Nikovski.