Maqedonia e Veriut merr mbështetje dhe nga SHBA
Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Shkup, Kate Byrnes përmes një video-mesazhi ka theksuar gatishmërinë për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Diplomatja amerikane, Byrnes në Shkup pritet të arrijë në javën e ardhshme, duke zëvendësuar ambasadorin e deritanishëm, Jess Baily.
“Njëzetegjashtë vjet punoj si diplomate në promovimin sigurisë, prosperitetit, respektimin e të drejtave të njeriut, dallimeve, sundimin e së drejtës dhe tregjeve të hapura. Me pa durim pres që të vazhdoj punën në Maqedoninë e Veriut. SHBA-ja është krenare për miqësinë e fortë me qytetarët e Maqedonisë së Veriut…Vlerësojmë guximin dhe profesionalizmin e ushtarëve tuaj dhe ju presim si anëtare e 30-të e NATO-së”, ka deklaruar ambasadorja Byrnes duke vlerësuar punën që kanë bërë institucionet e vendit në procesin euroatlantike.
“Maqedonia e Veriut është në rrugë të mirë drejt NATO-s dhe BE-së. Ekipi i ambasadës amerikane në Shkup dhe unë do të punojmë që të ndihmojmë Maqedoninë e Veriut në këtë rrugë dhe të krijojmë mundësi të reja për prosperitet. Më vjen mirë që do të kemi mundësinë për përforcimin e raporteve mes dy vendeve tona”, ka thënë Byrnes në video-mesazhin e publikuar në Facebook, së bashku me bashkëshortin saj para se të arrijnë në Shkup javën e ardhshme.
Byrnes është një diplomate karriere, deri tani kryente detyrën e zëvendës-shefes së misionit amerikan në Athinë, ndërsa paraprakisht ishte përfaqësuese e përhershme e misioni amerikan pran OSBE-së në Vjenë.
Gjatë dëgjimit në Senat në prill, Byrnes ka thënë se puna e saj në Maqedoninë e Veriut do të përqendrohet në tri fusha, në promovimin e stabilitetit përmes institucioneve të fuqishme, në forcimin e sigurisë përmes partneritetit dhe do të punojë në nxitjen e prosperitet.