Maqedonia e Veriut nxënësja shembullore e Samitit të Poznanit

Të premten (05.07) përfundon Samiti i Poznanit me takime të shumta mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe homologëve të tyre nga vendet e BE-së që marrin pjesë në nismën ‘Procesi i Berlinit’.

Një gjë mund të thuhet që tani: Maqedonia e Veriut është nxënësja shembullor e rajonit, prandaj edhe vitin e ardhshëm ajo do të jetë organizatore e samitit të shtatë, së bashku me Bullgarinë. Dy shtetet do të kenë rastin të dëshmojnë më së miri në praktikë, atë që mbështet procesi i Berlinit: aftësinë bashkëpunuese mes vendeve të rajonit dhe BE-së.

Hahn: Çelje e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut
Me marrëveshjen historike të arritur një vit më parë me Greqinë për çështjen e emrit, Maqedonia e Veriut dha një shembull të madh për të gjithë rajonin, është i mendimit komisioneri i zgjerimit, Johannes Hahn. Gjatë një fjale të mbajtur me rastin e hapjes së Forumit të Shoqërisë Civile dhe të Bizneseve, të enjten në Poznan, ai kërkoi sërish nga BE-ja që të mbajë premtimin dhe të hapë negociatat për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. “Unë vazhdoj të qëndroj prapa rekomandimit tim për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe e pres që në tetor Këshilli i BE-së të ndjekë rekomandimin tonë dhe për çeljen e negociatave, tha Hahn.

Shembull për konfliktin Kosovë-Serbi
Edhe ministri gjerman i shtetit për Evropën, Michael Roth gjatë një konference shtypi në Poznan, theksoi në mënyrë të veçantë arritjet e Maqedonisë së Veriut dhe kërkoi që ajo të shërbejë si shembull për të zgjidhur edhe problemin kryesor aktual të rajonit: normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. “Ka shumë gjëra që mund të bëhen, nëse politikanët e kanë vullnetin dhe janë në gjendje të tejkalojnë stereotipet”, tha politikani socialdemokrat.

Edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila sot takohet në Poznan ndër të tjera edhe me kryministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryeministren serbe, Anna Brnabiç, kishte theksuar në prag të samitit rolin shembullor të Maqedonisë së Veriut për zgjidhjen e konflikteve në rajon.

Më shumë fonde për Ballkanin Perëndimor
Samiti i Poznanit ka në fokus “konektivitetin”, që nënkupton lehtësimin e mundësive që qytetarët e rajonit të lidhen më mirë me njëri tjetrin. Janë fonde, të cilat shkojnë për të përmirësuar infrastrukturën, por edhe për të krijuar partneritet mes njerëzve, sidomos të rinjve dhe bizneseve. Një lidhje, që e dëshiron edhe shumica e qytetarëve, sipas Barometrit të Ballkanit, që prezantoi Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu: Sipas saj 74% e qytetarëve dhe 67% e bizneseve besojnë në bashkëpunimin rajonal.

Për ta mbështetur këtë proces, Komisioni ka propozuar që të shtohen me 13 përqind fondet ndihmëse që parapërgatisin anëtarësimin që në gjuhën e burokracisë së Brukselit, quhen IPA III. Por axhenda e Konektivitetit përfshin edhe lidhjet dhe këmbimet ekonomike me BE-në. Fokusi i punës në pesë vitet e ardhshme pritet të jetë ekologjia, krahas digjitalizimit. /DW/

SHKARKO APP