Maqedonia feston ftesën për anëtarësim në NATO
Nën moton “Ecim përpara, Maqedonia në BE dhe NATO”, mbrëmë në 15 qytete anembanë Maqedonisë u festua marrja e ftesës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në NATO.
Festimin e qytetarëve e organizoi Qeveria e Republikës së Maqedonisë ku morën pjesë rreth 40 muzikantë nga Maqedonia.
Në Parkun e Qytetit të Shkupit u mbajt festa qendrore, ku morën pjesë shumë qytetarë, të cilët patën mundësinë të ndiqnin shfaqjet e “Quepurdat”, “Arhangel” dhe Kiril Xhajkovski.
Me qytetarët festuan edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë, Radmila Sekerinska, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikola Dimtrov, si dhe disa përfaqësues të trupit diplomatik dhe përfaqësues të partive politike.
Ministri Dimitrov në deklaratën për mediat tha se që nga viti 1993 Maqedonia dëshiron të bashkohet me NATO-n dhe se kanë kaluar 10 vjet që nga Samiti i NATO-s në Bukuresht, ku Maqedonia nuk arriti të marrë ftesë për anëtarësim ndërsa tani ka një vit historik.
“Kemi arritur të ndërtojmë miqësi me dy vende me të cilat kemi marrëdhënie delikate historike. Nga tensionet kemi bërë miqësi dhe falë asaj rrugët tona po hapen për në NATO dhe kemi një premtim të madh për në BE në qershor 2019”, tha Dimitrov.
“Nëse gjërat shkojnë sipas planit, deri në vitin e ardhshëm në qershor”, tha ministri Dimitrov Maqedonia pret që të bëhet zyrtarisht edhe anëtare e NATO-s. /Alsat.M/