Maqedonia miraton amendamentet për ndryshimet kushtetuese

Qeveria e Maqedonise miratoi draft-amendamentet për ndryshimet kushtetuese sipas marreveshjes se Prespes. Amendamentet janë hartuar në konsensus me grupin e pavarur opozitar. Kryeministri Zoran Zaev duke shpjeguar përmbajtjen e amendamente theksoi se të njëjta meritojnë mbështetjen e të gjithëve. Draftet synojnë ndryshime në nenin 3, 36, 49.

“Amendamenti i parë ka të bej me ndërrimin e emrit “Republika e Maqedonisë” dhe “Maqedonia” me “Republika e Maqedonisë së Veriut” dhe “Maqedonia e Veriut”. Kjo zbatohet çdo kund në Kushtetutë përveç në nenin 36 ku ka aspekt historik. Pjesa e dytë është Preambula ku vendimet e KAÇKM-së zëvendësohen me shpalljet e KAÇKM-së dhe shtohet Marrëveshja e Ohrit me qëllim që të konstituohet elementi shtetëror. Kjo është pjesë e konstituimit të shtetit dhe vetëm se shtohet MO-ja. Kjo është mjaft korrekte ndaj të gjitha bashkësive më të vogla etnike në Maqedoni. Me amendamentin e tretë shtohet një paragraf dhe ka të bëj me sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje. Dhe amendamenti i katërt qëndron ne faktin se Republika i mbron të drejtat dhe interesat e qytetarëve të saj dhe i përmirëson lidhjet me atdheun, pra kjo pjesë ka të bëj me diasporën”– theksoi Zoran Zaev.

Kërkesa kryesore e grupit të pavarur të VMRO-DPMNE-së që në rast se nuk ratifikohet marrëveshja në Greqi dhe nuk ratifikohet protokolli për anëtarësim në NATO, ndryshimet kushtetuese do të jenë të pavlefshme është përfshirë në amendament. Sipas deputetëve të përjashtuar të VMRO-së, kjo parandalon çdo obstruksion diplomatik nga Greqia. Grupi i pavarur nuk planifikon që me amendamente shtesë të ndërhyjë ndaj draft-amendamenteve.

“Të gjitha amendamentet kushtetuese do të fuqizohen vetëm atëherë kur Greqia i realizon detyrimet e saj dhe e ratifikon protokolli për anëtarësimin tonë në NATO. Nuk ka mundësi që ne ta pranojmë përcaktimin gjeografik dhe përsëri të na bllokohet anëtarësimi në NATO. Duke u pranuar kërkesa jonë, kjo nuk do të ndodhë. Nëse nuk ratifikohet protokolli asgjë nga kjo nuk do të vlejë. Në këtë fazë, kërkesat tona janë të përfshira në amendamentet e Qeverisë të cilat dorëzohen në Kuvend”– tha Elizabeta Kançeska-Milevska, Deputete e VMRO-DPMNE-së.

Burime zyrtare nga Kuvendi kanë konfirmuar për Alsat se draft amendamentet e Qeverisë kanë arritur në Komisionin e Ligjeve. Siç bëjnë të ditur të njëjtat burime, seanca e Komisionit për Çështje Kushtetuese do të thirret më 7 nëntor, ndërsa seanca plenare ku do të votohet për draft-amendamentet do të mbahet më 1 dhjetor.

SHKARKO APP