Maqedonia ngec 50 vjet larg standardeve të BE-së

Maqedonisë do t`i duhen të paktën edhe 50 vite që të arrijë nivelin e standardit jetësor të vendeve të Bashkimit Evropian, theksohet në raportin e fundit të Komitetit Britanik për Punë të Jashtme.

Duke komentuar këtë, njohësit e çështjeve ekonomike thonë se fokusimi në investimet kapitale, thithja e investimeve të huaja si dhe rritja e konkurrencës në tregun ndërkombëtarë janë shtyllat kyçe për të zvogëluar hendekun prej një shekulli mes Maqedonisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian, sa i përket standardit jetësor, shkruan Rel, transmeton Zhurnal.

“Autoritetet e vendit si e para që duhet të bëjnë është të krijojnë kushte për rritjen e Bruto Prodhimit Vendor që duhet të jetë së paku dyfish më i lartë se rritja e çmimeve me pakicë në Maqedoni. E dyta, duhet të ndërpritet paraqitja e aferave korruptive që ndërlidhen me njerëzit e afërt me qeverinë. Si e treta, duhet të përshpejtohet investimi në projektet kapitale, sepse zinxhiri i lëvizjes së mallrave diku në mes ndërpritet sepse Maqedonia nuk është e lidhur me furnizimin e mallrave në nivel global”, thotë Visar Ademi, njohës i çështjeve ekonomike.

Ndërkohë, sipas Bankës Evropiane për Përparim dhe Zhvillim, Maqedonia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, si çështje më problematike që e ngufasin zhvillimin ekonomik kanë fokusuar korrupsionin, realizimit të ngathët të reformave, mungesës së stabilitetit financiar dhe problemet me demografinë.

“Problemet me të cilat ballafaqohen vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë rrënjë të thella. Rruga për integrime do të jetë e gjatë dhe nuk ka garanci për sukses. Është shumë e rëndësishme që Britania e Madhe dhe partnerët e BE-së dhe NATO-s të vazhdojnë angazhimin për rajonin, por duhet të pranojë edhe rreziqet dhe vështirësitë”, vlerëson Komiteti për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë.

Njëherësh, në deklaratën e lëshuar nga Komiteti Britanik për Punë të Jashtme theksohet se “liderët lokal kanë interes të mbajnë status quo-n”

Njohësit e çështjeve ekonomike konsiderojnë se korrupsioni është hallka më e rëndë që e mban të bllokuar zhvillimin e ekonomisë së vendit.

“Moszbatimi i ligjeve, mosfunksionimi i Komisionit për Anti-korrupsion si dhe pasiviteti i Prokurorisë publike janë hallkat më të dobëta që mundësojnë keqpërdorimin e mjeteve nga arka e shtetit” thotë Sabina Fakiq nga Qendra për Komunikim me Qytetarët.

Ekspertët e ekonomisë thonë se përderisa aferat korruptive vazhdojnë të ndërlidhen me njerëzit e afërt të qeverisë, veçanërisht gjatë ndarjes së tenderëve përçohet një sinjal shumë i keq për çdo investitorë të huaj që synon të derdh kapitalin e tij në Maqedoni duk pamundësuar edhe zhvillimin e ekonomisë me këtë dhe përmirësimin e standardit jetësorë.

Ndërkaq, autoritetet maqedonase thonë se anëtarësimi i vendit në NATO dhe Bashkim Evropian do të paraqes një motorr shumë të rëndësishëm që do ta shtyjë para zhvillimin e ekonomisë së vendit.

SHKARKO APP