Maqedonia “rindez” debatin – Do aplikojë taksën progresive mbi pagat, por me kufirin maksimal në 18%

Qeveria e Maqedonisë është e vendosur që të çojë përpara premtimin më të rëndësishëm elektoral, paçka se me vonesë; taksën progresive. Aktualisht, në Maqedoni pagat taksohen të gjitha njësoj, në 10%, që njihet ndryshe si tatim i sheshtë.

Propozimi i qeverisë së Maqedonisë është për një tatim që varion nga 10% në 18%. Kështu, ata që do të kenë një pagë më të lartë se 90.000 dinarë, që përkthehen në 1460 euro, do të taksohen në kufirin maksimal, me 18%.

Nga ana tjetër, ata që kanë të ardhura deri në 90 mijë dinarë, do të taksohen 10%. Kryeministri i vendit Zoran Zaev u shpreh se kjo nismë për vendosjen e taksës progresive nxiti debat që nga dita kur është formuar Qeveria, që është kryesisht e majtë.

Sipas tij, nisma ka për qëllim të ndërtojë një shoqëri korrekte dhe të drejtë për të gjithë. Edhe me kalimin e Maqedonisë në një sistem të ri fiskal sa i përket tatimit mbi pagat, Shqipëria duket se do të vijojë të mbetet vendi me normën maksimale më të lartë në rajon, prej 23%.

Paçka se në paketën e re fiskale, pragu i atyre që preken nga kjo taksë është rritur lehtë, në këtë drejtim, Shqipëria vijon të mbetet ende shumë larg fqinjëve. Në Kosovë taksa progresive varion nga 0 në 10% dhe në Mal të Zi nga 9% në 11%.

Serbia dhe Bosnje Hercegovinë ndërkohë janë dy vendet e vetme të rajonit që i mbeten besnike taksimit të sheshtë, në 10% në të dyja vendet.

Në vendin tonë ndërkohë, debati mbi këtë çështje është i vjetër. Edhe pse qeveria shqiptare është e vendosur për taksimin progresiv, vazhdimisht ka pasur debat të brendshëm për ta ulur kufirin maksimal në 18%.

Por, ende nuk ka asgjë konkrete, dhe duket se ndryshime nuk do të ketë, të paktën për momentin.

SHKARKO APP