“Marrëveshja e Prespës, model për Beogradin e Prishtinën”
“Procesi i Prespës mund të jetë një shembull i zgjidhjes së mosmarrëveshjes midis Beogradit dhe Prishtinës”. Kështu ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev sot gjatë drekës së punës me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini dhe krerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë takimit, pati fjalë rreth zhvillimeve aktuale në Maqedoni në lidhje me ndryshimet kushtetuese, ligjin mbi amnistinë, procesin e pajtimit, por mbi çështjet rajonale, duke përfshirë çështjen e Beogradit dhe Prishtinës, shkruan Alsat.
“Ne jemi të bindur se ne mund ta ndihmojmë të gjithë procesin me përvojën që kemi nga Procesi i Prespës, pasi kjo mund të jetë një përvojë për këtë çështje problematike në Ballkan,” tha Zaev.
Zaev tha se në drekën me krerët e Ballkanit Perëndimor u shpreh një konsensus i përbashkët për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe në frymën e stabilitetit rajonal dhe se ata mund të ndihmonin njëri-tjetrin në këto procese.
Në bisedë me presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk, Zaev mori garanci se me vazhdimin e procesit në Maqedoni, si dhe vazhdimin e reformave, Maqedonia do të marrë një datë për negociata në Këshillin Evropian në qershor. Komisioni Evropian, shtoi ai, është plotësisht i informuar për procesin e pajtimit dhe e mbështet fuqishëm këtë proces.